Deputetët e Kuvendit të Kosovës, kanë shqyrtuar në lexim të parë projektligjin për Peticione, të propozuar nga Lëvizja Vetëvendosje, i cili u vlerësua nga qeveria por jo edhe nga të gjitha grupet parlamentare, pasi u tha se është kopje e ligjit gjerman për peticione.

Në emër të propozuesit Arban Arbashi tha se deri më tani ka munguar një ligj i tillë dhe Vetëvendosje ka ndërmarrë këtë nismë legjislative e cila rregullon të drejtën e peticionit.

“Me këtë ligj të drejtën për t’iu drejtuar Kuvendit me peticion e gëzon çdo person, pavarësisht nënshtetësisë por që e ka vendbanimin dhe vendqëndrimin në Republikën e Kosovës. Po ashtu, me këtë ligj parashihet që edhe shërbyesit civil të mund të parashtrojnë peticion në Kuvendin e Kosovës“, tha ai.

Në emër të komisionit funksional për peticione dhe barazi gjinore, Saranda Bogujevci tha se ky komision ka rekomanduar të miratohet ky projektligj.

Në emër të LDK-së, deputetja Saranda Musliu tha se ky projektligj duhet të jetë më i qartë

Abelard Tahiri në emër të PDK-së, tha se projektligji që ka sjellë Vetëvendosje, është transkript i përkthimit të ligjit të Gjermanisë.

“Nuk bie ndesh me legjislacionin evropian, është e vërtet sepse është një përkthim komplet i ligjit gjerman për peticione dhe jo projektligj i Vetëvendosjes, prandaj ne i ftojmë që ta tërheqin këtë iniciativë dhe të ulemi së bashku dhe të draftohet një projektligj që vërtet e përligj çështjen e peticioneve“, tha ai.

Projektligji nuk është përkrahur as nga AAK-së. Ndërsa, zëvendëskryeministri i Qeverisë, Driton Selmani tha se i japin përkrahje me kusht që të bëhen disa ndryshime të vogla në lexim të dytë. Në fund, projektligji nuk ka marrë votat e mjaftueshme.