Ka nisur seanca plenare, ndërkohë që pritej shqyrtimi në lexim të parë të Projektligjit për Mbrojtjen e Vlerave të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, kjo pikë e rendit të ditës është tejkaluar meqë nuk ka pasur kuorum. Ky projektligj ka hasur në kritika të mëdha të faktorit ndërkombëtar, meqë sipas tyre kufizon lirinë e shprehjes, ndërkohë që edhe parti në vend e kanë kundërshtuar.

Gjatë kësaj seance pritet edhe zgjedhja e dy anëtarëve të Këshillit Gjyqësorë të Kosovës, zgjedhja e një anëtari të Këshillit Prokurorial të Kosovës nga radhët e fakulteteve juridike të Republikës se Kosovës, zgjedhja e kryesuesit të Komisionit Shqyrtues të Autoritetit Rregullator për Shërbimet e Ujit, zgjedhja e shtatë anëtarë të Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës.

Deputetët po ashtu do të shqyrtojnë propozim-vendimin për caktimin e pagës së drejtorit dhe zëvendësdrejtorit të Sekretariatit Ekzekutiv të Agjencisë Kosovare për Krahasim dhe Verifikim të Pronës.

Po ashtu, do të shqyrtohet kërkesa e Komisionit Hetimor Parlamentar lidhur me procesin e privatizimit në Kosovë për miratimin e Buxhetit të këtij Komisioni dhe propozimi i GP të LVV për zëvendësimin e anëtarëve në komisionet parlamentare./kp