Në Kuvendin e Kosovës sot janë paraparë të mblidhen shtatë komisione parlamentare. Komisioni për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe mbikëqyrjen e Agjencisë kundër Korrupsionit, Komisioni për Mbikëqyrjen e Financave Publike, Komisioni për Ekonomi, Punësim, Tregti, Industri, Ndërmarrësi dhe Investime Strategjike, Komisioni për Bujqësi, Pylltari, zhvillim Rural, Infrastrukturë dhe Mjedis, Komisioni Hetimor Parlamentar në lidhje me menaxhimin e pandemisë së virusit COVID-I9 nga ana e Qeverisë së Republikës së Kosovës, Komisioni Hetimor Parlamentar mbi procesin e licencimit, operimit, mbikëqyrjes dhe aplikimit për lejet e hidrocentraleve në Republikën e Kosovës, Komisioni Hetimor Parlamentar lidhur me procesin e privatizimit në Kosovë, janë këto shtatë komisionet parlamentare që do të mblidhen këtë të martë.

Komisioni për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe mbikëqyrjen e Agjencisë Kundër Korrupsionit do të mblidhet në ora 10:00 e ku në rënd dite ka 9 pika.

Një orë më vonë do të mblidhen anëtarët e Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike. Në këtë komision do të shqyrtohet raporti i auditimit për Pasqyrat Vjetore Financiare të vitit 2019, për Kompaninë Rajonale të Ujësjellësit Hidroregjioni Jugor Sh.A Prizren. I ftuar do të jetë kryesuesi i bordit dhe kryeshefi ekzekutiv.

Po ashtu është paralajmëruar edhe pjesëmarrja e ministrit të Ekonomisë dhe Ambientit, Blerim Kuçi, kjo pasi që do të bëhet shqyrtimi i raporti të auditimit për Pasqyrat Vjetore Financiare të vitit 2019 për ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor.

Kurse në Komisionin për Ekonomi, Punësim, Tregti, Industri, Ndërmarrësi dhe Investime Strategjike që po ashtu do të mblidhet në ora 11:00 është paraparë të miratohet plani i performancës për vitin 2021 i agjencive të pavarura që i raportojnë komisionit.

E në ora 13:00 do të mblidhet Komisioni për Bujqësi, Pylltari, zhvillim Rural, Infrastrukturë dhe Mjedis. Përveç miratimit të procesverbalit të mbledhjes së komisionit të mbajtur më 15.12.2020 do të bëhet edhe shqyrtimi i planit të performancës për vitin 2021 nga autoriteti rregullativ i hekurudhave.

Sot po ashtu në ora 13:00 do të mblidhet edhe Komisioni Hetimor Parlamentar në lidhje me menaxhimin e pandemisë COVID-19 nga ana e Qeverisë së Kosovës. Para këtij komisioni do të raportojë ish-udhëheqësi i zyrës për komunitet në zyrën e kryeministrit të Kosovës, Nenad Rashiq.

Po ashtu në këtë komision do të raportojë edhe ish-kryeministri i Kosovës, njëherit edhe kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti.

Në ora 13:00 do të mblidhet edhe Komisioni Hetimor Parlamentar mbi procesin e licencimit, operimit, mbikëqyrjes dhe aplikimit për lejet e hidrocentraleve në Republikën e Kosovës.

Anëtarët e komisionit do të marrin në pyetje Arben Çitakun, ish-sekretar i përgjithshëm i Ministrisë. Po ashtu do të intervistohet edhe udhëheqësi i departamentit të energjisë.

Komisioni i shtatë që do të mblidhet është, Komisioni Hetimor Parlamentar lidhur me procesin e privatizimit në Kosovës.

Anëtarët e këtij komisioni do të intervistojnë përfaqësuesit e punëtorëve IGK “Ballkan” Suharekë dhe përfaqësuesit e Sindikatës së Pavarur Elektro Kosova.