Skuadra angleze, Southampton ka bërë histori në Premier Ligë të hënën, ku është bërë ekipi i vetëm që ka mposhtur shtatë kampionët e Premier Ligës, në edicionin që e kanë ngritur trofeun, raporton “LiveScore”.

Skuadra e Ralph Hasenhuttl e ka mposhtur Liverpoolin me rezultat 1:0, me golin e vetëm të Danny Ings, për herë të parë që nga viti 2016.

Southampton tani ka mposhtur Liverpool, Manchester Unitedin, Manchester Cityn, Blackburn Roversin, Leicester Cityn, Chelsean dhe Arsenalin, në edicionet ku kanë qenë të gjithë kampionë të kësaj gare.

Më poshtë mund të gjeni të bashkangjitura të gjitha ndeshjet, të cilat Southampton i ka fituar ndaj kampionëve të Premier Ligës, ndër vite.

Blackburn Rovers

Në vitin 1996, Southampton ka mposhtur skuadrën e Blackburn Rovers, me rezultat 1:0, ku një vit para, respektivisht në 1995, Blackburn ka qenë kampion i Premier Ligës.

Manchester United

Southampton ka mposhtur në mënyrë sensacionale kampionët në fuqi Manchester United me rezultat 6:3, me datën 26 tetor në vitin 1996. Ata po ashtu kanë mposhtur Unitedin kur kanë qenë kampionë në edicionet 1997/98, 2000/01 dhe 2003/04.

Arsenal

“Topçinjtë” kanë qenë ndër skuadrat më të forta në edicionin 2001/02, por nuk kanë arritur të sigurojnë fitore kundër Southamptonit në nëntor të atij edicioni, ku kanë pësuar disfatë me rezultat 3:2, me dy gola të James Beattie dhe një autogol të Kolo Toure.

Manchester City

Më herët, në kohën kur Mauricio Pochettino ka qenë trajner i Southamptonit, skuadra e tij ka arritur të mposhtë kampionët aktual të asaj kohe Manchester Cityn, në stadiumin “St. Mary” me rezultat 3:1, në shkurt të edicionit 2013.

Chelsea

“Saints” ka mposhtur skuadrën e Jose Mourinhos në tetor të vitit 2015, me golat e Steven Davis, Sadio Mane dhe Graziano Pelle, ku rezultati përfundimtar ka qenë 3:1. Po atë vit, skuadra e Jose Mourinhos ka pësuar rënie në formë, duke rezultuar më vonë edhe me shkarkimin nga detyra e trajnerit.

Leicester City

“Dhelprat” kanë pasur një vit të paharrueshëm në edicionin 2015/16. Por, pavarësisht trofeut të fituar të Premier Ligës, ata kanë pësuar humbje të thellë me rezultat 3:0 nga Southampton, në janar të vitit 2017.

Liverpool

Historia është bërë mbrëmë, ku pavarësisht 16 goditjeve drejt portës nga skuadra e Liverpool, Southamptoni ka regjistruar fitore të madhe, ku edhe ka hyrë në histori të Premier Ligës, duke mposhtur shtatë kampionët e kësaj gare, në edicionet e tyre si kampionë aktual.

Po ashtu, rezultati i natës së mbrëmshme ishte emocionues për teknikun Ralph Hassenhutl, ku pas përfundimit të ndeshjes është parë në gjunjë, me lot gëzimi në sy.