Dhomat e Specializuara me seli në Hagë, kanë dhënë detaje rreth bastisjes dhe arrestimit të ish-zëdhënësit të UÇK-së, Jakup Krasniqi.

Përmes një komunikate për media është bërë të ditur se Krasniqi tashmë është transferuar në objektin e paraburgimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë.

Në komunikatë thuhet se arrestimi u krye nga Zyra e Prokurorit të Specializuar në bazë të një aktakuze të konfirmuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit dhe në zbatim të fletarrestimit dhe urdhrit për transferim, të lëshuara nga gjykatësi i procedurës paraprake i Dhomave të Specializuara të Kosovës.

Në kryerjen e arrestimit, ZPS-ja pati mbështetjen operative dhe logjistike të Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), në pajtim me mandatin e vet dhe me legjislacionin e Kosovës. Edhe Policia e Kosovës (PK) dha mbështetje operative për ZPS-në. Në kohën e duhur do të jepet informacion i mëtejshëm duke përfshirë informacion mbi publikimin e aktakuzës me redaktimet e nevojshme. Në pajtim me rregullën 88 të Rregullores së Procedurës dhe të Provave, aktakuza bëhet publike jo më vonë se paraqitja e parë e të akuzuarit“, thuhet në komunikatën e Dhomave të Specializuara të Kosovës./21Media