Një protestë tjetër e stafit mbështetës shëndetësor është paralajmëruar për sot nga ora 10:00, pranë drejtorisë së SHSKUK-së, me kërkesë për realizimin e shtesave në paga prej 300 eurosh.

Këshilli Organizativ ka paralajmëruar se do të vazhdojë me protesta deri në realizimin e premtimit të Qeverisë së Kosovës.

“Këtë ditë do të fillojmë me bojkotimin e punës për një orë pune, kurse nëse nuk ka reflektim pozitiv nga menaxhmenti dhe Qeveria, ne do të vazhdojmë protestat e radhës në ditët në vijim, me radikalizim të veprimeve tona”, u bë e ditur në njoftim.

Ftesa për protestë iu drejtohet specializantëve, përfaqësuesve të administratës, vozitësve të auto-ambulancave, pjesëtarëve të sigurimit, servuesve të ushqimit, recepcionistëve, pastruesve, të cilët janë të punësuar në QKUK dhe SHSKUK dhe të gjithë atyre që nuk kanë përfituar deri më tani shtesën e premtuar nga Qeveria e Kosovës.