“Historia nuk rishkruhet”, është titulli i ekspozitës që studentët e disa organizatave studentore të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, kanë prezantuar sot te Biblioteka Kombëtare në Prishtinë.

Tematikë e kësaj ekspozite janë lajmet e mediave ndërkombëtare që kanë shkruar për krimet që janë kryer në Kosovë nga Serbia gjatë luftës.

Studenti i Fakultetit Filozofik në departamentin e Shkencave Politike, Orgest Topojani, tha se përmes kësaj ekspozite dëshirojnë të tregojnë se vlerat e UÇK-së, janë ato të cilat shfaqin një luftë të drejtë dhe të pastër.

“Ne nuk duhet asnjëherë të harrojmë që historia nuk rishkruhet dhe në ekspozitën që e kemi realizuar i kemi shfaqur disa media botërore dhe lajmet e tyre për masakrat që janë kryer në luftën e fundit të Kosovës…Ekspozita përmban lajme të cilat janë shfaqur nga mediat ndërkombëtare dhe botërore të cilat me tematikë kanë pasur luftën e fundit në Kosovë dhe shfaqen krimet që janë kryer nga regjimi serb në popullin e Kosovës”, tha ai.

Ndërsa, studenti i Fakultetit të Mjekësisë, Durim Ibrahimaj, tha se përmes kësaj ekspozite duan ta paraqesin pakënaqësinë e tyre ndaj padrejtësive që po i bëhet UÇK-së dhe udhëheqësve të saj.

Ai tha se nuk mund të ketë luftë të drejtë dhe njëkohësisht udhëheqës të padrejtë.

“Të shprehim pakënaqësitë tona ndaj padrejtësisë që po i bëhet UÇK-së dhe udhëheqësve të saj. Duhet të kuptojmë qartë që nuk mund të ketë luftë të drejtë dhe njëkohësisht udhëheqës të padrejtë. Ishin pikërisht këta udhëheqës të cilët i prinë UÇK-së dhe ishin organizatorët kyç të saj. UÇK është një ndër përpjekjet më të mëdha në historinë e popullit shqiptar, për arsye se nga aty filloi rezistenca për liri dhe vetëvendosje. Të gjitha tendencat të cilat kanë të bëjnë me kriminalizimin e luftës së drejtë dhe të pastër dhe të lavdishme të popullit tonë duhet një herë e përgjithmonë të marrin fund”, tha ai.

Ai kërkoi që të ketë mbështetje nga i gjithë populli për luftën e UÇK-së, në këtë mënyrë ai tha se konfirmohet besimi ndaj saj.

Presidenti i vendit Hashim Thaçi, sot gjendet në Hagë për t’u intervistuar nga Prokuroria Speciale.

Kujtojmë se me 24 qershor, Prokuroria Speciale ka bërë publike propozim-aktakuzat ndaj Presidentit të Kosovës Hashim Thaçi dhe kryetarit të PDK-së Kadri Veseli.