Komiteti Ekzekutiv i FFK-së sot mbajti mbledhjen e vet të radhës, nën drejtimin e presidentit Agim Ademi, ku diskutoi për gjendjen në futbollin e Kosovës me theks të veçantë për mundësitë e vazhdimit të garave në futboll.

Pas vendimit të Ministrisë së Shëndetësisë për lejimin e garave në Ipko Superligën e Kosovës, KE shqyrtoi mundësitë që në këtë rang të garave të nisin zhvillimi i stërvitjeve në përputhje me udhëzimin e MSH-së dhe IKSHPK-së.

“KE është i vetëdijshëm për situatën në të cilin gjendet Kosova, por po ashtu është i vetëdijshëm edhe për rëndësinë e përfundimit të garave në Ipko Superligë, pasi që ky rang i garave ka impakt edhe në garat evropiane, andaj është edhe prioritet, që garat të zhvillohen në këtë ligë që të mos dëmtohen klubet që do ta fitojnë të drejtën e pjesëmarrjes në garat e Evropës”, thuhet në njoftimin e FFK-së.

Tutje në njoftim thuhet se KE do të ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme që ndeshjet të zhvillohen në mënyrën sa më të mirë mundshme në përputhje me udhëzimet e institucioneve shtetërore.

Ndeshjet do të zhvillohen pa shikues dhe sipas orarit që kanë paraparë organet e FFK-së që do të zhvillohen prej 7 qershorit e deri më 25 korrik.

Ndonëse, në këtë fazë janë lejuar zhvillimi i garave vetëm për Ipko Superligën e Kosovës, KE varësisht prej situatës do të kërkojë që garat të lejohen edhe për rangjet tjera, por gjithnjë duke mos rrezikuar shëndetin e qytetarëve e me këtë edhe të futbollistëve.

“KE do t’i ndihmojë klubet për mjete dizenfektuese dhe mjete tjera të nevojshme, ndërsa iu bën thirrje atyre t’u përmbahen me përpikëri udhëzimeve të institucioneve shtetërore dhe të FFK-së”.