Warning: sprintf(): Too few arguments in /home/rtv21new/public_html/wp-content/themes/newsphere-pro/lib/breadcrumb-trail/inc/breadcrumbs.php on line 254

​Sveçla flet për gjendjen e personave të lënduar në Kroaci

1 min read

 

Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës Xhelal Sveçla, deklaroi sot se 26 persona të lënduar në aksidentin e rëndë të trafikut dje në Slavonski Brod do të lirohen sot gjatë ditës, ndërkohë që po punohet për kthimin e tyre në Kosovë.

Ai në një postim në Facebook ka bërë të ditur se sot në Kroaci, është takuar me prefektin e Qarkut të Sllavonska Pozhegës, Danijel Marushiq, drejtorin e Spitalit dr. Samargjiq dhe drejtorin e Policisë së Sllavonska Pozhegës, Antun Valiq nga të cilët është njoftuar mbi gjendjen e pacientëve në spitalin e qytetit.

“Tashmë 26 bashkëqytetarë tanë gjatë ditës lirohen nga spitali. Nga 16 pacientë të lënduar më rëndë për të cilët trajtimi spitalor vazhdon, dy janë në kujdes intensiv me njërin nga ta në gjendje stabile. Tashmë po punohet për kthimin e bashkatdhetarëve të liruar nga spitali si dhe kthimin e kufomave te familjet e tyre, në vend të tyre”, ka shkruar Sveçla, duke falënderuar shtetin kroat për përkujdesjen shembullore në këtë tragjedi.

Ndryshe, dhjetë persona humbën jetën dhe mbi 40 të tjerë u lënduan dje në një aksident trafiku në Kroaci, kur një autobus i kompanisë “Deva Tours” me 69 udhëtarë doli nga rruga dhe u përmbys.