Ish-ushtruesi i detyrës së ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka deklaruar se kufiri mes Kosovës dhe Shqipërisë nuk ishte i mbyllur asnjëherë gjatë Qeverisë Kurti.

Në një postim në Facebook, ai shkruan se në çdo pikë kufitare me të gjitha vendet kanë qenë të njëjtat kufizime në qarkullim, për shkak të pandemisë, por kurrë jo i mbyllur.

Zëdhënësit e qeverisë Koti të subjekteve humbëse, paskan sulmuar qeverinë Kurti, se kinse kufiri me Shqipërinë paska qenë i mbyllur e ai me Serbinë i hapur. Kush e bën këtë akuzë? Qeveria e cila sapo u përshëndet nga Vuçiqi për veprimin e rrallë në botë, ku hoqën dorë vetë nga reciprociteti, dhe lejuan që Serbia të hyjë në Kosovë me dokumentat “Kosovo i Metohija”. Sado që propaganda synon të luajë me emocionet, ky është sulm “i budallëm”. S’e ha kush. Në asnjë moment kufiri i Shqipërisë nuk ka qenë i mbyllur gjatë qeverisë Kurti“, shkroi Sveçla.

Ai tha se masat janë të publikuara në faqet zyrtare të qeverisë dhe ministrive, e lehtë mund të shohin të gjithë se kurrë kufiri me Serbinë, gjatë qeverisë Kurti nuk ka qenë më i hapur se me atë të Shqipërisë.

Tutje Sveçla theksoi se “pikërisht gjatë qeverisjes sonë u arrit që secili automjet e kamion që vinte nga Serbia të kishte dokumentacionin me emërtimin zyrtar “Republika e Kosovës”, gjë që e ka mëzitur shumë Vuçiqin prandaj i angazhoi shërbëtorët për ta rikthyer situatën aty ku ishte para qeverisë Kurti”./21Media