Zëvendëskryeministri i parë i Kosovës, Besnik Tahiri sot ka vizituar Podujevën ku atje premtoi se Zona Ekonomike e Llapit do të jetë prioritet kyç i Qeverisë së Kosovës dhe i tij personalisht.

Përmes një statusi në Facebook, Tahiri ka njoftuarse në këtë takim ka bërë të ditur se Qeveria e R Kosovës mbetet e përkushtuar për finalizimin e projekteve infrastrukturore të nisura më parë në Komunën e Podujevës më konkretisht magjistralen Prishtinë-Podujevë.

”Duke e ditur se Podujeva është në zonën kufitare, u zotova se Zona Ekonomike e Llapit do të jetë prioritet kyç i Qeverisë së Kosovës dhe i imi personalisht për të shtyrë përpara zhvillimin ekonomik lokal. Gjithashtu u dakorduam që të mbështesim bizneset e Podujevës me programin e Rimkëmbjës Ekonomike, pasi që shtylla e zhvillimit ekonomik të kësaj zone bazohet pikërisht në sektorin privat”, ka shkruar ndër të tjera Tahiri në Facebook.

Gjatë vizitës së tij në Podujevë, Tahiri ka bërë homazhe në sheshet e dëshmorëve. /21Media