Projektligji për rimëkëmbjen ekonomike, ku përfshihet tërheqja e 10 për qind nga Trusti mund të hyjë në fuqi në javën e parë të muajit shtator.

Por, 50 për qind e 630 mijë qytetarëve që kanë të hapura llogarit në Trust nuk mund të tërheqin këto mjete financiare për shkak të shumave të ulëta që i kanë. E të gjitha aplikimet do të bëhet online për shkak të pandemisë Covid-19.

Kështu u tha pas takimit të sotëm ndërmjet zëvendëskryeministrit Besnik Tahiri dhe drejtorit të Trust-it, Ardian Zalli.

“Ligji tani është në komision parlamentar, po besoj që deri në fund të kësaj jave shkon në lexim të parë dhe shpresoj me procedurë të shpejtë në lexim të dytë. Kjo nënkupton se nuk ka shans brenda një jave ose 10 dite të kalojë në Kuvend. Mandej janë disa ditë që nevojitet që ligji të hynë në fuqi, pra u bënë dy javë. Pastaj është procedura e aplikimit, që nënkupton para tri jave, sipas mendimit tim kjo punë nuk mund të ndodhë”, tha ai.

I dyti i ekzekutivit tha se tërheqja e 200 milionë eurove nga Fondin e Kursimeve Pensionale do të jetë një injeksion i mirë për ekonominë e vendit

“Rreth 200 milionë euro mund të tërheqin nga ky fond, sepse fondi i ka mbi 2 miliardë euro që do të jetë një stimulim dhe injeksion i mirë i ekonomisë së Kosovës. Nuk e dimë se kush sa për qind do të tërheqë, sepse prej këtyre 630 mijë njerëzve, një kategori e madhe e tyre janë me shuma të ulëta në Trust që nënkupton se nuk do të tërheqin. Jemi duke folur për 50 për qind të këtij numri. Ndërsa pesëdhjetë për qind tjetër ka mundësi të bëjnë tërheqje”, tha ai.

Ndërsa, drejtori i Trust-it, Ardian Zalli tha se kanë bërë të gjitha përgatitjet dhe se tërheqja e mjeteve financiare do të bëhet online.

“Tërheqja do të bëhet vetëm online dhe do të bëhet pasi të hynë ligji në fuqi, të nënshkruhet nga presidenti dhe të dalë në gazetën zyrtare… Besojmë që e kemi thjeshtësuar procesin kurdo që të ndodhë. Aplikimi do të bëhet vetëm online dhe kjo shkon në favor të situatës me pandeminë, në mënyrë që të mos përhapet pandemia”, u shpreh ai.

Pakoja e rimëkëmbjes ekonomike javën e kaluar dështoi të kalojë në Kuvendin e Kosovës me procedura të përshpejtuara, ndërsa pritet në komisionet përkatëse të kalojë në dy leximet. /kp