Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, sot ka vizituar Bashkësinë Islame të Kosovës, nga ku ka uruar të gjithë besimtarët myslimanë për festën e Kurban Bajramit, si dhe ka dekoruar BIK-un me urdhrin e pavarësisë.

Presidenti Thaçi ka uruar Bajramin përfaqësuesve të BIK dhe gjithë shqiptarëve.

“Uroj që kjo festë të jetë festë e solidaritetit, mirëkuptimit, dashurisë dhe respektit në mes të njerëzve. Në një vend të harmonisë, tolerancës dhe mirëkuptimit dhe në të njëjtën kohë gjithmonë t’i kujtojmë të rëndët për lirinë e Kosovës dhe të punojmë për gjeneratat e ardhshme”, ka thënë ai.

Thaçi është shprehur se duke vlerësuar lart kontributin e Bashkësisë Islame në përpjekje për liri, ka vendosur t’i ndaj “Urdhrin e Pavarësisë”.

“Duke vlerësuar lartë kontributin e Bashkësisë Islame me dekada në përpjekje për liri, pavarësinë, çlirimin e Kosovës, në përputhshmëri me angazhimet e mija kushtetuese dhe ligjore, duke njohur shumë dhe vlerësuar lartë atë kontribut, si president i vendit, unë kam vendos që të ndaj dekoratën e urdhrit të pavarësisë për Bashkësinë Islame“, ka thënë Thaçi.

Myftiu i Kosovës, Naim Ternava ka thënë se edhe BIK ishte pjesë e kontributit si para luftës, ashtu edhe gjatë luftës në Kosovë.

“Për neve është një kënaqësi e veçantë edhe ndarja e kësaj dekorate sot për Bashkësinë Islame të Kosovës, e cila në të vërtet siç e thanë edhe ju zoti presidenti ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm edhe para luftës por edhe gjatë dy viteve të luftës me okupuesit klasik të cilët e kishin okupuar Kosovën dhe fal asaj lufte të drejt çlirimtare, sot Kosova është e lirë, është shtet sovran, i pavarur, i pranuar ndërkombëtarisht, i anëtarësuar në shumë mekanizma ndërkombëtar, me një prosperitet dhe gatishmëri për të ecur përpara se deri tash. Sigurisht që dëshmorët duhet gjithmonë t’i kujtojmë“, ka thënë ai.

Tërnava ka shtuar se sot kujtojnë edhe 37 imamët e BIK-ut, të cilët kanë rënë dëshmorë në luftën e fundit.