Thaçi: Kosova është e bekuar me miqësinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës

Thaçi: Kosova është e bekuar me miqësinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka pasur takim sot me Ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Philip Kosnett.

Presidenti Thaçi dhe ambasadori Kosnett kanë shprehur respektin më të lartë për përpjekjet e vazhdueshme të institucioneve të Kosovës për ta luftuar virusin COVID-19.

Sipas një komunikate të Presidencës, Thaçi theksoi se seanca e Kuvendit të Kosovës, e mbajtur të mërkurën më 25 mars, që në agjendë kishte mocionin e mosbesimit për Qeverinë e Kosovës, ka konfirmuar edhe njëherë standardin e lartë të demokracisë në shtetin tonë, si dhe respektin e deputetëve të Kuvendit të Kosovës ndaj Kushtetutës dhe ligjeve të vendit.

Presidenti Thaçi dhe ambasadori Kosnett janë pajtuar që procedurat e mëtutjeshme për formimin e një qeverie të re duhen bazuar plotësisht në Kushtetutën e Kosovës, duke njohur rolin vital të Gjykatës Kushtetuese në këtë proces.

Presidenti Thaçi përsëriti që “Kosova është e bekuar me miqësinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, e cila vetëm po forcohet në këto kohë të vështira për të dyja vendet”.