Në paraqitjen e dytë para Dhomave të Specializuara në Hagë të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, nga avokatët u paralajmërua kërkesa për lirim me kusht. Mbrojtja kërkoi nga Prokuroria që të tregojë arsyet e mbajtjes në paraburgim për katër të akuzuarit. Aty u bë e ditur se seanca e radhës rreth ecurisë së çështjes ndaj Thaçit, Veselit, Krasniqit e Selimit do të mbahet në mesin e muajit dhjetor.

David Hooper, avokat i ish-presidentit të Kosovës Hashim Thaçi, tha se së shpejti do të aplikojnë për lirimin me kusht të tij.
Para gjykatësit të procedurës paraprake, Hooper tha se ka pranuar fletëarrestin e lëshuar ndaj

Thaçit, në të cilin, sipas tij, ka redaktime të çuditshme.

“Është synimi ynë që të aplikojmë për lirimin e tij me kusht. Po ashtu, e kam sugjeruar edhe në seancën e mëparshme dhe dua ta theksoj edhe sot që modalitetet ose mënyrat se si duhet të realizohet ky ushtrim. […] Unë kam marrë versionin e redaktuar të kërkesës së prokurorisë për një urdhërarresti dhe më duhet të them që në këtë dokumentacion ka disa redaktime të çuditshme. Për shembull në paragrafin 2 thuhet se duke pasur parasysh nenet, pastaj pjesa tjetër është e redaktuar, pastaj ligjet, pastaj është pjesë e redaktuar, nuk e di çfarë qëllime kanë me redaktime të tilla, sipas mendimit tim, redaktime të tilla nuk mund të justifikohen”, tha ai.

“Referencat tregojnë për sjellje ose sjellje të këqija të pretenduara në llogari të zotëri Thaçit gjatë dokumentacionit. Emrat e dëshmitarëve janë të redaktuar në mënyrë të panevojshme ndërkohë një pjesë e deklaratave të tyre janë të kuptuara, kështu që do të doja t’i kërkonim prokurorit t’i rishqyrtojë edhe njëherë redaktimet dhe të ketë verizone më pak të redaktuara të këtyre dokumenteve, dhe të gjitha provat të jenë të cituara në fund të faqes, me fusontë, në kërkesë të prokurorisë”, tha ai.

Edhe sipas Ben Emmerson, avokat mbrojtësi ish-kryetarit të Kuvendit, Kadri Veseli, katër të akuzuarit nuk duhet të mbahen në paraburgim derisa të njëjtit prezumohen të pafajshëm.

Ai tha se mbrojtjes nuk i është dhënë arsye pse duhet të mbahen katër të akuzuarit në paraburgim, derisa sipas tij, nuk ekziston rreziku i arratisjes ose mos-paraqitjes.

“Ata nuk na kanë dhënë informacionin mbi të cilin e bazojnë këtë pretendim, si mund të paraqesim ne një parashtrim kuptimplotë nëse nuk e kemi informacion, kjo është një lojë që po luan prokuroria në interesi ne arritjes së një procedurë që kërkon zotëri Smith që tashmë është larguar nga seanca, nuk është këtu. Ne do të dorëzojmë një aplikim skelet dhe prokuroria duhet t’i përgjigjet në një mënyrë që artikulon në mënyrë realiste dhe hollësishme arsyet pse këta të katër të akuzuarit duhet të qëndrojnë në burg pavarësisht pse prezumohen të pafajshëm”, tha ai.

Këto deklarata avokatët i bënë në pjesën e dytë të konferencës statusore që u mbajt sot Hagë.
Seanca e radhës rreth ecurisë së çështjes pritet të mbahet mesin e muajit dhjetor.