Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi ka kujtuar simbolin e rezistencës kombëtare Adem Demaçi në dyvjetorin e vdekjes së tij.

Thaçi përmes një postimi në Facebook ka thënë se Adem Demaçi është emri i njeriut që sakrifikoi për së gjalli  talentin e tij, rininë dhe burrërinë, duke ngritur zërin kundër pushtimit të Kosovës nga Jugosllavia, përkatësisht nga shteti i Serbisë.

“Jam krenar që pata fatin të punoj dhe koordinoj shumë veprime dhe qëndrime politike me Adem Demaçin si përfaqësues i lartë politik i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në vitet 1998 – 1999. Një komb mund të jetë i vogël numerikisht, por është i madh cilësisht kur nxjerr nga gjiri i tij një njeri të përmasave evropiane dhe botërore”, ka shkruar ndër të tjera Thaçi në Facebook.

Pasditen e 26 korrikut të vitit 2018, Demaçi ndërroi jetë. Në nderim të tij u organizuan shumë aktivitete shtetërore si dhe u mbajtën tri ditë zie në Kosovë. /21Media