Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka folur rreth pritjeve para takimit ndërmjet palës kosovare dhe asaj serbe me ndërmjetësimin e emisarit të presidentit të SHBA-së, Richard Grenell, më 27 qershor në Uashington.

Në një intervistë për RTK, kreu i vendit tha se pret që në Shtëpinë e Bardhë të hapet një kapitull i ri për zgjidhjen e problemeve mes Kosovës dhe Serbisë.

“Shpresoj se do të arrijmë më tepër sesa presin skeptikët. Takimi do të jetë shumë i vështirë, pasi Serbia vazhdon të shikojë nga e kaluara dhe pak të fokusohet për të ardhmen. Mandej e shikojnë Kosovën në aspektin e mitit dhe historisë së rrejshme dhe jo në realitetin e Kosovës së pavarur e sovrane. Megjithëse institucionet dhe liderët në Serbi e dinë se Kosova është vend i lirë e i pavarur dhe se kjo gjë është e pakthyeshme”, ka thënë presidenti Thaçi duke shtuar se Kosova në bisedime ka për bazë Kushtetutën e vendit.