Kryetarja e shoqatës “Thirrjet e nënave”, Nysrete Kumnova, përmes një konference për media ka reaguar ndaj deklaratave të Daçiqit, i cili kërcënoi serbët që po tregojnë për krimet serbe ndaj shqiptarëve.

“Kam ardhur që të kërkojë drejtësi. Deklarata publike e Daçiqit, duke i kërcënuar serbet të cilët po i tregojnë krimet serbe kundër shqiptarëve dhe vendet ku ndodhën varrezat masive, në fakt ku janë varrosur shqiptaret nga ushtria serbe, duhet të jetë edhe leksioni i fundit për pushtetarët tanë dhe të gjitha instancat ndërkombëtare”, tha ajo.

Ajo i ka bërë thirrje përfaqësuesve të vendit që sa më parë të kushtëzojnë bisedimet me Serbinë në Bruksel dhe të vendosin në radhë të parë çështjen e personave të pagjetur, zbardhjen e tyre dhe kthimin e eshtrave në Kosovë.

Ajo thotë se është prekur shumë edhe me deklaratën e zëvendëskryeministrit Driton Selmanaj, sipas të cilit kjo temë është e konsumuar.

“Kërkoj nga shteti i Kosovës të mos bëjnë politika të gabuara kur janë në pyetje më të dashurit tanë. Për Driton Selmanaj kjo temë është e konsumuar, për mua jo sepse unë kam të drejtë te kërkoj birin tim, Albionin dhe të gjithë bijtë e bijat e Kosovës të cilat ende rezultojnë të pagjetur”, ka deklaruar Kumnova./kp