Përfaqësues nga Ministria e Infrastrukturës dhe Ambientit, mbajtën takim me kryetarin e Shoqatës së Transportit rrugor të udhëtarëve Ruzhdi Kurtishaj dhe me drejtues të kompanive të transportit rrugor, ku është diskutuar rreth situatës së krijuar në këtë sektor, për shkak të pandemisë Covid-19.

Në takim u tha se dëmet në këtë sektor janë të mëdha andaj u kërkua që të rifilloj sa më shpejtë puna.

Në të kundërtën drejtues të kompanive të transportit të udhëtarëve, paralajmëruan protesta.

Kryetari i Shoqatës së Transportit rrugor të udhëtarëve, Ruzhdi Kurtishaj tha se, kanë adresuar mbi 7 kërkesa në Qeveri dhe Ministritë përkatëse, për t’i dalë në ndihmë këtij sektori.

Ai tha se, kërkesat e tyre janë anashkaluar andaj, kërkojnë edhe një herë që t’i ndihmohet transportit rrugor

Ne kemi adresuar mbi 7 kërkesa në qeveri dhe Ministritë përkatëse me të vetmin qëllim që t’i dilet në ndihmë sektorit privat në përgjithësi por edhe sektorit të transportit rrugorë…Mund të them se kemi një lloj anashkalimi të kërkesave edhe të odës Ekonomike edhe sa i përket pakos emergjente për mbështetje të sektorit privat duke mos e anashkaluar sektorin e transportit rrugorë…Sa i përket pjesës për rifillim të punës nuk kam marrë përgjigje nga departamenti i transportit rrugor se kur ne do të fillojmë punën sepse është çështje që varet nga Ministria e Shëndetësisë”, deklaroi ai.

Drejtori i Departamentit të Shërbimeve të Transportit rrugorë, Xhemë Veseli, tha se janë në dijeni për dëmet në transporti rrugorë.

Ai tha se, kërkesat e tyre do të shqyrtohen shumë shpejtë, andaj i luti për mirëkuptim.

Jemi në një situatë që nuk e kemi paraparë askush, sepse është një virus i cili i ka shqetësuar të gjithë dhe ka përkeqësuar ekonominë globale. Gjithçka deri këtu ka ardhur me rekomandimet e institucioneve përgjegjëse për vendin tonë.. Jemi duke i shqyrtuar të gjitha kërkesat tuaja mirëpo nuk varet gjithmonë prej nesh, do t’i ngrisim ato shqetësime në nivele tjera dhe besoj do të merren parasysh kërkesat tuaja”, tha ai.

Drejtori i Departamentit të inspektoratit Qerkin Dugolli, tha se do t’i kenë në konsideratë të gjitha këto kërkesat.

Do të ju kemi në konsideratë dhe do të jemi të mirë kuptueshëm në momentin kur fillon puna por deri atëherë ju lutemi t’i respektoni rekomandimet e IKSHP-së, pajisjet i keni të gatshme, mjetet po ashtu momentin kur rifillon puna ne do të vazhdojmë bashkëpunimin”, tha ai.

Përfaqësues i shoqatës “Kosova e Lirë”, në Prizren Islam Okmiri, tha se nëse nuk fillon puna në transporti rrugorë, atëherë do të ketë protesta.

Transporti rrugorë, kompanitë tona e mbushin arkën e shtetit, pak janë marrë me ne tu u thirr prej qeverisë, nuk na kanë ndihmuar fare. Jemi të parët që jemi atakuar me ndërprerje të punës dhe si po shihet do të jemi të fundit në fillimin e punës…Kërkojmë që sa më shpejtë t’i marrin masat, mos ta presin fazën e tretë përndryshe nëse nuk fillojmë më herët do të kemi humbje dhe më të mëdha. Nëse nuk na hapni shpejtë shprehim gatishmëri të protestojmë”, tha ai.

Të njëjtin mendim ndan edhe përfaqësues të tjerë të transportit rrugorë.

Në këtë takim ishin ftuar edhe përfaqësues të Ministrisë së Shëndetësisë, por nuk u pan të pranishëm.