​Turizmi në gjendje të rëndë, kërkohet ndihma e shtetit

 

Pandemia COVID-19, si dhe masat që ka marrë vendi ynë për mbrojtje ndaj pandemisë, ka bërë që 2020 të jetë njëri ndër vitet më të vështirë në sektorin e turizmit në Kosovë.

Kryetari i Unionit të Turizmit në Kosovë, Baki Hoti, në një intervistë për KosovaPress, ka thënë se pandemia në vitin 2020, ka bllokuar të gjitha aktivitetet e sektorit të turizmit dhe se Qeverisa e Kosovës nuk ka bërë asgjë për ta ndihmuar këtë sektor, i cili është shtylla kryesore e ekonomisë së Kosovës.

“Pandemia ka kufizuar shumë elementet, të cilat zhvillohen gjatë vitit në pjesën e turizmit, njëkohësisht ka ndërprerë mos të them qind për qind, por 90 për qind ka ndërprerë pjesën e grupeve ose vizitorëve në Kosovë. Institucionet nuk kanë qenë mbështetës të këtij pavarësisht insistimeve në këtë sektor, takimeve, diskutimeve, debateve, kërkesave që unioni ka bërë, ende nuk kemi diçka konkrete se çka kërkohet nga komuniteti i turizmit, duke e pasur parasysh që turizmi është njëra nga shtyllat kryesore të ekonomisë së këtij vendi”, ka thënë Hoti.

Hoti ka thënë se ndihmat e ndara për punëtorët dhe bizneset janë të pamjaftueshme për sektorin e turizmit, pasi nevojiten pako konkrete që do të ndihmonin bizneset me qëllim të përballimit sa më të lehtë të pandemisë.

Ai kërkon nga Qeveria e Kosovës të ndihmojë më shumë turizmin për shkak të gjendjes jo të mirë në të cilin ndodhet ky sektor.

“Nuk ka pasur ndihma të mjaftueshme duhet të ketë pako konkrete. Vija buxhetore konkrete, të cilat do të tregojnë çfarë t’i ndihmojnë komunitetit të biznesit për shkak se në këtë sektor janë të përfshira hotelet, pjesa e gastronomisë, transporti, guidat dhe veprimtari të tjera. Turizmi është njëra ndër shtyllat kryesore të këtij vendi dhe institucionet, por edhe qeveria më në fund duhet t’i kthejë sytë nga turizmi dhe ta vlerësojë dhe ta dinë rolin e turizmit. Është momenti që institucionet ta ndihmojnë turizmin për shkak se ndodhet në gjendje të keqe… Është për keqardhje nëse sot e gjen një hotel me 60-70 dhoma në mes të kryeqytetit dhe e gjen të mbyllur. Ky është një dëm tepër i madh”, ka thënë Hoti.

Drejtori i agjencinë turistik, Globus Travel Kosova, Fisnik Dragusha ka thënë se Kosova nuk ka Ministri të Turizmit, por as ligj me të cilin do të merrej me problemet e këtij sektori.

Ai thotë se gjatë pandemisë nuk kanë punuar, gjep e cila ka ndikuar në rënien e madhe të kapaciteteve të planifikuara për zhvillim në vitin që lamë pas.

“Turizmi ka qenë sektori më i pa ndihmuar në aspektin e rimëkëmbjes ekonomike, pasi nuk ka pasur asnjë statistikë se sa është lënduar ky sektor dhe duke mos pasur ministri, departament të organizuar në nivelin e duhur ka mbetur anash si sektor. Rënia ka qenë shumë e madhe. 70 për qind e kapacitetit të planifikuar nuk është realizuar dhe kjo ka ndikuar te ndikimi financiar i kompanisë, duke qenë se është dashur të rëndohen klientët, duke qenë që edhe atyre që i kemi bërë rezervim dhe i kemi shtyrë për vitin në vazhdim, profiti është i humbur brenda asaj pakete”, ka thënë Dragusha.

Ai ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës që të garantojnë te bankat që të hiqet ky sektor nga lista e zezë, por edhe të ndajë subvencione.

“Kërkesat tona do të ishin një planifikim më stabil, i cili e sqaron shumë më mirë në gjashtë muajt e ardhshëm se çfarë plane do të ndërmerren dhe një ndihmë në drejtim të qasjes së financave sa i përket bankave duke kërkuar nga bankat që ta heqin turizmin nga ‘lista e zezë’ dhe të garantojnë që sektori i turizmit të jetë pretendues për të marrë mbështetje financiare dhe një subvencion i cili kishte me qenë një vlerë 4 deri 5 milionë euro, do ta nxirrte komplet sektorin në pozicion tjetër sa i përket agjencive turistike dhe një numër të caktuar të hoteleve që kanë pasur turistë të huaj dhe janë dëmtuar, për vitin 2021, duke i ruajtur mijëra vende pune, por njëherësh duke ruajtur edhe imazhin e operimit dhe të gjitha licencat”, tha Dragusha.

Ndryshe, Unioni i Turizmit në Kosovë, gjatë kohës së pandemisë është munduar t’i ndihmojë komunitetit të turizmit, ku kanë arritur që t’i nënshkruajnë tri marrëveshje ndërkombëtare dhe 19 marrëveshje të ndryshme, me institucione të ndryshme të cilat me kalim të pandemisë të jenë gati të implementohen ato.

Tjetër marrëveshje gjatë kësaj kohë është edhe marrëveshja ndërkombëtare që është bërë me Unionin e Turizmit të Shqipërisë, ku janë mbajtur dy aktivitete në kuadër të kësaj marrëveshje./kp

 

Back to top button