21 vjet nga masakra e tregut

21 vjet nga masakra e tregut

Përfaqësues të institucioneve komunale dhe asociacioneve tjera në Mitrovicë, familjarë të viktimave e martirëve, si dhe qytetarë tjerë janë tubuar sot në vendin e ngjarjes në nderim të viktimave të masakrës së tregut në Mitrovicë, që ka ndodhur 21 vjet më parë. Atë kohë, forcat serbe kanë sulmuar me minahedhës derisa tregu ka qenë përplot me njerëz, ndërsa si pasojë kanë mbetur të vdekur gjashtë shqiptarë, në mesin e të cilëve kishte fëmijë dhe gra, ndërsa janë plagosur 128 të tjerë.

Nënkryetari i komunës së Mitrovicës, Faruk Mujka ka bërë të ditur se ky është moment pikëllimi për të gjithë qytetarët e Mitrovicës, në të njëjtën kohë edhe moment krenarie, sepse falë gjakut të tyre shteti i Kosovës ka arritur të ndërtojë institucionet.

“Është një moment rrëqethës, pikëllimi e dëshpërimi pë r të gjithë bashkëqytetarët, por sido që të jetë është një moment kur ne duhet të ndihemi krenarë dhe falënderues, sepse falë gjakut të tyre jemi sot ku jem, duke ndërtuar institucionet tona”, ka thënë Mujka.

Azem Beqiri, njëri nga të mbijetuarit e kësaj masakre, duke përshkruar momentet trishtuese të asaj kohe ka thënë se pasojat vazhdon t’i vuaj sot e asaj dite.

“Sot 21 vite më parë isha duke punuar në treg, afër tezgës time. Forcat paramilitare serbe kanë hedhur një granatë e cila ka eksploduar, duke shkaktuar dëme marramendës dhe duke plagosur dikë më shumë e dikë më pak. Numri i përgjithshëm i të plagosurve ka qenë 128. Unë kam humbur bërrylin, sot e saj dite i vuaj pasojat sepse që 21 vjet nëpër mjekë dhe kam mbi 30 operacione”, ka theksuar Beqiri.