Udhëtarja në Aeroportin e Prishtinës kapet me 11 kg stoli
Në pikë kalimin kufitar te Aeroporti oficerët doganorë kanë parandaluar futjen e 11 kilogramëve stoli të argjendit.
Dogana ka njoftuar se Njësitet Antikontrabandë kanë ushtruar kontrolle tek udhëtarët të cilët udhëtonin nga Turqia përmes Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës ku rreth orës 23:30 është selektuar një udhëtare e dyshuar për kontrolle detaje.
“Pasi pala ka hyr në kanalin e gjelbër është selektuar për skanim të valigjes dhe kontrolle, në njërën nga valigjet e saj përmes skanerit është vërejtur se ka mallra të cilat nuk janë deklaruar në doganë dhe pas verifikimit është konstatuar se ka stoli argjendi të padeklaruara”, thuhet në njoftimin e Doganës.
Stolitë argjendi peshojnë 11.2 kg (unaza, vath, qafore, hallka dore, zingjire dore dhe qafe etj). Të gjitha mallrat janë konfiskuar, ndërsa ndaj udhëtares ka filluar procedura e rregullt kundërvajtës./21Media