Trajtimi i sfidave të COVID-19 brenda përgjigjes për migrantët dhe refugjatët në Ballkanin Perëndimor.

Bashkimi Europian (BE), Organizata Ndërkombëtare për Migracionin (IOM) dhe Komesariati i Lartë i Kombeve të Bashkuara për Refugjatët (UNHCR) nisën projektin prej 8 milionë Euro – “Trajtimi i sfidave të COVID-19 brenda përgjigjes për migrantët dhe refugjatët në Ballkanin Perëndimor”, i cili financohet nga BE – Instrumenti që kontribuon për Paqe dhe Stabilitet.

Pandemia COVID-19 ka krijuar sfida të jashtëzakonshme dhe të pashembullta për BE-në, si në Evropë ashtu edhe në pjesën tjetër të botës. Mirëpo, BE është duke demonstruar lidership dhe përgjegjësi nëpërmjet përgatitjes së një përgjigjeje kolektive, të koordinuar dhe të vazhdueshme në nivel global ndaj pandemisë, si dhe duke i bashkuar institucionet e BE-së dhe ato të shteteve anëtare si “Ekipi i Europës”. Në thelb, qasja “Ekipi i Evropës” përcjell një mesazh të fuqishëm të solidaritetit evropian me vendet partnere, siç është edhe rasti me këtë projekt.

Sipas një komunikate të lëshuar nga UNHCR ky projekt do të ketë prioritet garantimin e të drejtave të migrantëve, azil-kërkuesve dhe refugjatëve dhe do të ndihmojë që sistemet e menaxhimit të azilit dhe migracionit të mbeten funksionale. Gjithashtu, ky projekt do të kontribuojë në zbutjen e rreziqeve të transmetimit të COVID-19, në Ballkanin Perëndimor.

Duke përfshirë Shqipërinë, Bosnjën dhe Hercegovinën, Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut, Serbinë dhe Kosovën , projekti do të adresojë mungesën e pajisjeve mbrojtëse për zyrtarët e policisë kufitare dhe personelin që punojnë në ambientet e pritjes ose në ofrimin e shërbimeve për migrantët, azil-kërkuesit dhe refugjatët.

Gjithashtu, do të ndihmojë në përgatitjen dhe trajnimin e personelit përgjegjës për t’iu përgjigjur sfidave të COVID-19 në përshtatjen e qendrave të pritjes, rritjen e infrastrukturës sanitare dhe ofrimin e shërbimeve themelore dhe artikujve higjienik. Projekti gjithashtu do të promovojë dhe shpërndajë informacion me rëndësi përkitazi me rreziqet dhe masat ndaj COVID-19, në gjuhë që komunitetet e ndryshme të migrantëve, azil-kërkuesve dhe refugjatëve i kuptojnë./kp/