Me qëllim të njoftimit nga afër me operacionet e njësive të FSK-së, ministri i Mbrojtjes, Anton Quni, së bashku me stafin e tij, vizitoi sot njësitë e Komandës së Forcave Tokësore (KFT), që po realizojnë kursin ‘Komando – Bereta’ në aeroportin e Gjakovës.

Ministrin Quni, gjatë vizitës u prit nga komandanti i KFT-së, gjeneralbrigade Fadil Hadergjonaj, si dhe oficerë të lartë të Komandës.

Fillimisht, gjenerali Hadergjonaj e njoftoi ministrin Quni me objektivat e këtij ushtrimi, kapacitetet njerëzore dhe teknike, si dhe me nivelin e arritjeve profesionale të ushtarëve të FSK-së, gjatë këtij ushtrimi.

Ndërsa, ministri Anton Quni, përgëzoi Komandën e Forcave Tokësore për realizimin e këtij ushtrimi në mënyrë profesionale, ndër të tjera ai vlerësoi lartë faktin edhe pse gjendemi në kohë të pandemisë COVID-19, ushtarët e FSK-së janë në formacion të plotë duke kryer ushtrimet e planifikuara, me disiplinë dhe përkushtim të madh, duke treguar nivel të lartë profesionalizmi dhe aftësi taktike operuese.

Ministri Quni para oficerëve, nënoficerëve dhe ushtarëve të njësisë përkatëse u zotua për ofrimin e mbështetjes maksimale për të avancuar edhe më tej në përmbushjen e detyrës së shenjtë, në kuadër të misionit të mbrojtjes së vendit dhe sigurisë së qytetarëve tanë.