Lojtari i ekipit kombëtar të futbollit holandez, Donny van de Beek (23) është larguar nga radhët e Ajax dhe do të vazhdojë karrierën e tij në gjigandët anglezë Manchester United, ka njoftuar klubi nga Old Trafford.

Holandezi i ri nënshkroi një kontratë pesë-vjeçare për “Djajtë e Kuq”, dhe sipas mediave ishullore, transferimi vlen 39 milionë euro, me një bonus pesë milionë euro.

“Unë jam gati për një sfidë të re në karrierë dhe nuk ka standard më të lartë se Manchester United. Të gjithë më kanë thënë se sa e mrekullueshme është atmosfera në Old Trafford dhe mezi pres ta përjetoj,” tha mesfushori holandez.

Ai do të udhëtojë në Angli pasi të ketë përfunduar angazhimet e tij me kombëtaren holandeze dhe ndeshjet kundër Polonisë dhe Italisë, më 4 dhe 7 shtator në Ligën e Kombeve.

Van de Beek është një produkt i shkollës Ajax, dhe në pesë sezone të kaluara ai regjistroi 175 ndeshje, 41 gola dhe 35 asistime.

“Donny ka të gjitha atributet teknike të nevojshme për ekipin tonë. Aftësia e tij për të parë hapësirën, kohën, lëvizjet dhe për të lexuar ndeshjen do të plotësojë vërtet cilësitë që kemi në mesfushë,” tha menaxheri i United, Ole Gunnar Solskjaer.