Edhe sot do të vazhdohet me gërmimet në lokacionin e Kizhevak të Serbisë, për gjetjen e mbetjeve mortore të shqiptarëve të vrarë gjatë kohës së luftës në Kosovë nga serbët.

Kështu ka bërë të ditur për udhëheqësi i Zyrës në Komisionin qeveritar për të pagjeturit, Kushtrim Gara.

Ai ka thënë se në këtë lokacion ka qenë të fokusuar për të gjetur varreza masive nga viti 2015, ku më pas edhe janë gjetur mbetjet e para mortore. Megjithatë, ai nuk ka dashur të japë detaje nga gjetjet e deritanishme për shkak të ndjeshmërisë për familjarët e personave të pagjetur.

“Gërmimet do të vazhdojnë edhe nesër, dhe në javën e ardhshme pra nga e hëna. Fillimisht ka qenë saktësimi i saktë i varrezës masive në këtë lokacion, pastaj vazhdohet me punën e nevojshme, në kuptimin e gërmimeve, zhvarrosjes së mbetjeve mortore që do të gjenden dhe janë procedurat tjera mjeko-ligjore në kuptimin e ekzaminimeve të mëtutjeshme dhe dërgimin e mostrave për analize të ADN-së në Komisionin ndërkombëtar për persona të zhdukur. Më 16 nëntor të këtij viti është hasur në mbetjet e para mortore dhe pas përgatitjeve logjistike, nga data 30 nëntor kanë vazhduar gërmimet vlerësuese dhe sigurisht që ato do të vazhdojnë edhe në javët në vijim, dhe është pak herët të flitet për numrin e viktimave që mund të jenë në këtë lokacion. Për hir të procesit, për shkak të ndjeshmërisë që ka procesi dhe për hir të familjarëve do të jemi të kujdesshëm në interpretimin e termave statistikor derisa nuk përfundojnë të gjitha procedurat e nevojshme mjekoligjore”, ka thënë Gara.

Gara ka thënë se Kizhevak është varreza e pestë masive në territorin e Serbisë, por ka edhe disa lokacione të tjera të cilat janë proceduar me kërkesë zyrtare për delegacionin e Serbisë dhe ndërkombëtarët që janë pjesë e këtij procesi, për të parë se si mund të vazhdohet për gërmimet në këto lokacione.

Ai ka thënë se për shkak të kushteve atmosferike, nuk përjashtohet mundësia të ketë edhe ndonjë ndërprerje eventuale të gërmimeve, por ato do të vazhdojnë deri në momentin kur të arrihet të trajtohet tërë hapësira e varrezës masive dhe të zhvarrosën të gjitha pjesët mortore.

Departamenti i Krimeve të Luftës i Gjykatës së Lartë në Beograd, më 18 nëntor, ka lëshuar një urdhër për zhvarrosjen e një numri të paidentifikuar kufomash në një varrezë masive në Krizhevak të Komunës së Rashkës.

Më 16 nëntor, drejtori i Institutit të Mjekësisë Ligjore në Prishtinë, Arsim Gërxhaliu, pati konfirmuar se në varrezën masive në Krizhevak dyshohet se gjenden mbetjet mortore të shqiptarëve të Kosovës.

Sipas Fondit për të Drejtën Humanitare në bazë të raportit të Zyrës së UNMIK-ut për Personat e Zhdukur dhe Mjekësi Ligjore, të cilat gjenden gjithashtu në bazën e të dhënave të organizatës Nisma Rinore për të Drejtat e Njeriut (YIHR), që nga viti 2001, në Serbi në katër lokacione janë zbuluar varreza masive me trupat e 941 shqiptarëve të vrarë në Kosovë më 1999.
Sipas të dhënave të YIHR-it, në Batajnicë afër Beogradit që nga viti 2001 janë zbuluar 744 trupa të shqiptarëve të Kosovës, në Petrovo Selo në Serbinë Verilindore 61 trupa, afër Liqenit Peruqac në Serbinë Perëndimore 84 trupa, ndërsa eshtrat e para në varrezën masive të Rudnicës në Serbinë Jugperëndimore u gjetën më 13 dhjetor 2013. Kosova vazhdon t’i ketë mbi 1.600 persona, për fatin e të cilëve nuk dihet asgjë që nga periudha e luftës. /kp