Nuk ka asnjë masë ndëshkuese ndaj qytetarëve nësë nuk zbatohet urdhëri

Nuk ka asnjë masë ndëshkuese ndaj qytetarëve nësë nuk zbatohet urdhëri

Pas shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme ditë më parë në Serbi, komuna paralele e veriut të Mitrovicës, përkatësisht shtabi i krisës së kësaj komune, ka marr vendim sipas të cilit ndalohet lëvizja nga ora 20:00-05:00 në mëngjes, duke injoruar kështu sërish qeverinë e Kosovës dhe urdhrat e saj.

Sipas këtij vendimi, për pensionistët dhe personat mbi 65 vjeç, ndalohet dalja nga shtëpitë e tyre plotësisht, ndërsa e gjithë kjo, në funksion të mbrojtjes nga koronavirus.

Aleksandar Spiriq, kryetari i komunës paralele në veri të Mitrovicës, duke u përgjigjur në pyetjen e KosovaPress-it rreth shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme në një komunë që ndodhet në territorin e Kosovës, edhe pse qeveria nuk ka shpallur gjendje të tillë, ai ka mohuar ta quaj vendimin e tij gjendje të jashtëzakonshme. Sipas tij, bëhet fjalë për porosi, kërkesë dhe lutje ndaj qytetarëve për izolim, në mënyrë që të tejkalohet sa më suksesshëm situata më e re e krijuar rreth koronavirusit. Ai potencoi se vendimi nuk është politik dhe as që ka të bëjë fare me politikë, por interes i të gjithë qytetarëve pa dallim, të cilët jetojnë në qytetin e Mitrovicës.

Në pyetjen cilat janë masat që do të ndërmerr komuna ndaj personave të cilët nuk e zbatojnë urdhërin, si dhe cilat organe të sigurisë do ta mbështesin komunën në këtë vendim, Spiriq shtoi se nuk ka asnjë masë ndëshkuese ndaj qytetarëve, dhe as ndonjë organ të veçantë të sigurisë që do ta mbështesë këtë vendim, për shkak se siç u shpreh ai, komuna nuk ka një mundësi të tillë.

Duke theksuar se policia e Kosovës është i vetmi organ i cili zbaton masat ligjore, ai tha se bëhet fjalë thjeshtë për një kërkesë ndaj qytetarëve, e cila është në të mirë të shëndetit të tyre të përgjithshëm në këtë situatë të vështirë.

Ndërkaq, Besim Hoti, zëvendës drejtor i policisë për rajonin e veriut, tha se policia e Kosovës zbaton vetëm urdhërat që vinë nga drejtoria e përgjithshme, ndërsa çdo masë tjetër nga nivele tjera, është e pazbatueshme nga ana e policisë së Kosovës në veri.

Në anën tjetër, qytetarët e veriut këtë vendim e shohin si një vendim i qeverisë së shtetit tjetër, në një shtet tjetër. Nexhat Uglani, qytetar nga veriu i qytetit, tha se vendimi për gjendjen e jashtëzakonshme është një vendim i qeverisë së shtetit tjetër, në një shtet tjetër. Ai sqaroi se kjo nuk paraqet asnjë risi, sepse në atë pjesë që 20 vite, shëndetësia, arsimi dhe të gjitha tjerat, funksionojnë në bazë të sistemit të Serbisë. Natasha Vllahoviq, poashtu qytetare nga veriu i Mitrovicës, vendimin për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme dhe kufizimin e lëvizjes së qytetarëve, e ka quajtur si normal, për shkak të korona virusit. Sipas saj, njerëzit e asaj pjese me raste veprojnë si qytetarë të Serbisë dhe me raste si qytetarë të Kosovës, varësisht nevojave.