Veseli: PDK do të ndërmarrë hapat konkret për tejkalimin e kësaj situate

Veseli: PDK do të ndërmarrë hapat konkret për tejkalimin e kësaj situate

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli ka deklaruar se PDK do të iniciojë një seancë të jashtëzakonshme e cila do të mbahet në javën e ardhshme ku edhe duhet të miratohet pako e veprimeve ekonomike dhe financiare që ndihmojnë sektorin privat gjatë ballafaqimit me pandeminë.

Veseli i bëri këto komente pas një takimi që pati me kryetarët e Odave Ekonomike, për të cilët tha se kanë shprehur shqetësimet e tyre lidhur me zhvillimet në sektorin privat.

“Shqetësimet e ndërmarrësve, janë shqetësime të thella të mbi 70 mijë ndërmarrësve, rreth 280 mijë punëtorëve të sektorit privat të cilët po rrezikohen, po rrezikohet veprimtaria e këtyre ndërmarrësve, po rrezikohen pagat e 280 mijë familjeve në Republikën e Kosovës. Ne nuk do të rrimë duarkryq. PDK do të ndërmarrë hapat konkret për tejkalimin e kësaj situate. Hapat që i ka ndërmarrë Qeveria e Kosovës nuk janë të mjaftueshëm për faktin se janë shumë sipërfaqësore, nuk iu përgjigjen kërkesave të sektorit privat i cili në fakt e mbush arkën e shtetit, përmes së cilës mbahet gjithë jeta ekonomike, politike, sociale, kulturore në republikën e Kosovës dhe në të njëjtën kohë veprimet që është duke i ndërmarrë Qeveria e Kosovës, përkatësisht kryeministri janë jashtë ligjore. Qysh në javën e ardhshme PDK do të ndërmerr iniciativën, do të kemi seancë të jashtëzakonshme përmes së cilës ne duhet të miratojmë një pako veprimeve ekonomike dhe financiare që ndihmojnë këta ndërmarrësit që Kosovën në ballafaqimin e vet me pandeminë e bëjnë suksesshëm ta tejkalojnë në aspektin shëndetësor por edhe në aspektin ekonomik, çka është me rëndësi që shteti i Kosovës të jetë stabil , që familjet e Kosovës, mos të shndërrohen 280 mijë punëtorë të sektorit privat në skema sociale por ata ta dinë që e kanë përkrahjen tonë shtetin tonë të pavarur dhe sovran”, tha ai.

Ai pati edhe një mesazh për sektorin privat.

“Qëndroni të fuqishëm, do ta keni përkrahjen tonë, ju e keni mbajtur shtetin tonë, e keni zhvilluar, e keni ngritur ushtrinë, policinë, sektorin shëndetësor, arsimin. Ne do të jemi me ju, jemi shumë falënderues për kontributin e juaj 21 vjeçar”, tha ai.