Në Ditën Ndërkombëtare të Muzeve, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, ka vizituar sot stacionin e trenit në Prishtinë, nga ku ka kërkuar që ky stacion nga i cili janë depërtuar mijëra shqiptarë nga lufta e fundit të kthehet në muze.

Këtë iniciativë që ky stacion të kthehet në muze, kreu i PDK-së e kishte propozuar edhe vitin e kaluar.

Veseli ka thënë se ky muze do të bëhet, pasi sipas tij tregon për vuajtjen që ka përjetuar populloni Kosovës.

“Kjo është fusha e dhimbjes e Prishtinës, kjo në fakt pavarësisht ndërtimeve është monument në vetë, kur gjysma e Prishtinës janë deportuar nga këtu, nuk e kanë ditur fatin e tyre, a po ndahen burrat me gratë, a po ndahen fëmijët nga prindërit. Do të thotë është vet fati jonë jetësor, për këtë arsye ky monument duhet vetëm të zyrtarizohet ajo të cilën edhe tashmë e kemi propozuar. Më vjen keq që nuk ka ndodhur, por nuk ka qare pa ndodh. Ky do të jetë muzeu i dhembjes së Kosovës, muzeu i dhembjes së Prishtinës. Ne duhet të mos jemi popull hakmarrës, por të dokumentojmë dhimbjen të cilën e kemi kaluar”, ka deklaruar ai

Veseli është shprehur  se nuk do të heqin dorë as nga kërkesa për të pagjeturit e Kosovës.

“Shumë po politizohet çdo gjë në Kosovë, por dhimbja jonë nga shteti serb si shqiptarë është veç një, nuk ka parti, nuk ka politikë dhe duhet të kryhet kjo pjesa e cila është obligative. Nuk kemi me heq dorë, as ndërmend nuk e kemi të heqim dorë nga ideja edhe për të pagjeturit në mënyrë te veçantë. Nuk kemi me heq dorë, nuk ka asgjë më të rëndë, e takova tani një fëmijë që e pret prindin e vet, mendon se çdo ditë do t’i kthehet. Kjo është dhimbja jonë e Kosovës dhe kemi obligime me ec përpara dhe do të ecim përpara pavarësisht edhe këtyre budallakive të cilat po bëhen sot”, ka thënë ai.

Ndërsa, anëtari i PDK-së, Migjen Kelmendi, ka ndarë përvojën e tij pasi edhe ai ishte larguar nga Prishtina nga ky stacion.

Ai ka deklaruar se ky stacion i trenit duhet të bëhet muze, pasi që do ta ruajë peshën e lirisë që sot e gëzojnë.

Kelmendi ka thënë se është mëkat që me këtë tragjedi dhe këtë dramë të shqiptarëve ka forca politike që po përpiqen me përfitua nga keqinterpretimi i tyre, nga minimizimi i tyre.

Edhe qytetari Remzi Berisha ka ndarë përvojën e tij nga stacioni i trenit në Prishtinë gjatë kohës së luftës.

“Këtu ka pas edhe lindje, ka pasur edhe vdekje. Ka njerëz që shumë vijnë dhe ua festojnë ditëlindjet fëmijëve të tyre. Ka pasur shumë njerëz që kanë vdekur këtu, kanë bartur kufoma prej këtu. Krejt Prishtina është deportuar prej këtu, ka pasur rast ka tri net kanë fjetur njerëzit këtu, se nuk kanë pasur mundësi me hyp në tren, kush ka mundur ka hy për dritare, për dere, gjithqyshka thënë ai.