Veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nuk kanë vendosur se kur do të organizojnë protestë për të kundërshtuar Gjykatën Speciale dhe arrestimet e ish-udhëheqësve të UCK-së, e kjo për shkak të rritjes së rasteve pozitive me Covid19. Kjo u bë e ditur pas mbledhjes së Këshillit Drejtues të kësaj organizate, i cili kërkoi nga Qeveria e Kosovës pezullimin e dialogut me Serbinë.

Faton Klinaku i cili po e drejton Organizatën e Veteranëve të Luftës në mungesë të kryetarit Hysni Gucati, tha se veteranët janë të revoltuar për zhvillimet e fundit nga Specialja, dhe mënyrën e bastisjes.

“Këshilli Drejtues shprehu revoltën lidhur me situatën e krijuar edhe në kohën kur janë arrestuar Gucati dhe Haradinaj por edhe në kohën e arrestimeve të djeshme e pardjeshme, sidomos me spektaklet që po i bëjnë Prokuroria apo Gjykata Speciale, së bashku me Policinë e EULEX-it. Këshilli Drejtues ka dal me disa konkluzione, njëra prej tyre është që protesta do të analizohet sepse ne i pamë sot që gjatë kohës së mbledhjes numri i rasteve me Covid19 ishte mbi 700, kishte edhe 12 të vdekur dhe na autorizuan neve si kryesor që të konsultohemi me IKShP-në që edhe nëse mbahet protesta të mbahet në një kohë më të përshtatshme”, tha ai.

Pas mbledhjes së Këshillit Drejtues të OVL-UÇK, Klinaku tha se kërkojnë nga Qeveria e Kosovës të pezullojë të gjitha aktivitetet që lidhen me çështjen e dialogut Kosovë-Serbi.

“Këshilli Drejtues kërkon nga politika e Kosovës që duke pasur parasysh që pjesëtarët e UÇK-së që ishin gjatë kohës së luftës që ta çlirojnë vendin dhe duke pasur parasysh që ka pasur bisedime me Serbinë, kërkoi që të pezullohen bisedimet sepse, sidomos gjatë kohës së kësaj Gjykate Speciale,. Mund të ndodhin kompromise të dhimbshme për Kosovën, dhe kërkoi që të pezullohen bisedimet Kosovë-Serbi”, tha ai.

E Pren Marashi, anëtar i Këshillit Drejtues tha se Serbia gjithmonë ka bërë propagandë për të ndarë shqiptarët në fe.

“Sa i përket propagandës, asaj të Serbisë e cila është e njohur tani e 100 vite ka bërë propagandë e tendenca për ndarje fetare, në UÇK kjo absolutisht nuk ka qenë asnjëherë prezent, sepse e dëshmon edhe fakti që një numër i madh ka qenë i eprorëve ushtarak të konfesionit katolik, sepse nuk mund të themi që katolik, sepse janë shqiptar, çështja e besimit është çështje personale, ndjenja kombëtare është një dhe unike dhe shqiptarët janë shembull në botë”, tha ai.

Ndërsa lidhur me kërkesën e OVL-UÇK për të dërguar Kushtetuese ligjin për Dhomat e Specializuara, Klinaku tha se deri tani kanë takuar deputetët e PDK-së, AAK-së, Nismës dhe deputetë nga 6+, ndërsa janë në pritje të takimit edhe me deputetë të LDK-së dhe Vetëvendosjes.