Pezullimi i anëtarësimit të Kosovës në organizatat ndërkombëtare ka shtyrë sot Grupin Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje që të ftojë kryeministrin Avdullah Hoti për interpelancë në Kuvend.

Vetëvendosje akuzon kreun e qeverisë se me zotimin për pezullim të kërkesës për anëtarësim në organizata ndërkombëtare, ai po bllokon shumë nisma, projekte e proceseve të ndryshme të shtetit të Kosovës dhe institucioneve të saj në nivel ndërkombëtar multilateral.

“Shumë prej këtyre proceseve kanë pasur edhe ashtu sfida të shumta për të kapërcyer në rrugën e tyre drejt bashkëpunimit ndërkombëtar, e të cilat tanimë bllokohen nga vetë Qeveria e Kosovës. Rikthimi i tyre nuk është aspak i lehtë. Moratoriumi njëvjeçar në planin e tyre të veprimit shumëfishohet në vite të tëra përpjekje për të arritur agjenda të caktuara të bashkëpunimit ndërshtetëror e ndërinstitucional”, thuhet në komunikatë.

Në takimin e 4 shtatorit në Shtëpinë e Bardhë, pala kosovare u zotua se do të pezullojë kërkesat për anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare.

Lëvizja Vetëvendosje konsideron se heqja dorë nga anëtarësimi në organizata ndërkombëtare me arsyetimin që Serbia të pezullojë fushatën për çnjohje të pavarësisë së Kosovës, është pozicion me pasoja të parikuperueshme në raport me dialogun me Serbinë.

“Ky zotim i njëanshëm individual për pezullimin e kërkimit për anëtarësim në organizata ndërkombëtare bie në kundërshtim me Deklaratën e Pavarësisë dhe Kushtetutën e Republikës. Avdullah Hoti dhe kushdo qoftë nuk mund të shfuqizojë Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe nuk mund t’i imponojë shtetit të Kosovës kurrfarë zotimi individual”, thekson Vetëvendosje.

Sipas Lëvizjes Vetëvendosje, nuk mund të ketë marrëveshje për njohje e që përfundon me njohje reciproke në mes të dy shteteve, duke hyrë në proces të dialogut me pozicion neutral ndaj pavarësisë së Kosovës nga vetë Qeveria e saj.

“Asimetria e shumanshme e Kosovës me Serbinë po merr trajtë zyrtare të asimetrisë edhe nominalisht, duke vënë në tavolinën e dialogut statusit të Kosovës për negociim”, përfundon komunikata e Lëvizjes Vetëvendosje.