Nagavci: Zgjedhjet e reja pas kalimit të koronavirusit është zgjidhja e vetme

Nagavci: Zgjedhjet e reja pas kalimit të koronavirusit është zgjidhja e vetme

Lëvizja Vetëvendosje do të refuzojë çfarëdo ftese të presidentin Hashim Thaçi për konsultime pas shkarkimit të qeverisë Kurti. Paralajmërimet e të parit të shtetit për krijimin e një qeverie gjithëpërfshirëse po i konsideron antikushtetuese, anëtarja e kryesisë së Vetëvendosjes, Arbërie Nagavci. Ajo për KP, thotë se në këtë situatë pandemie duhet të mbahet distanca ndaj tij.

Sipas saj, presidenti Thaçi nuk ka të drejtë të bëj përpjekje për krijimin e ekzekutivit pa fituesin e zgjedhjeve. Derisa u shpreh e rezervuar se cili do të jetë pozicioni i partisë së saj në rast të kërkesës së Thaçit për një mandatar të ri nga Vetëvendosje. Por thotë se zgjedhjet e reja pas kalimit të koronavirusit është zgjidhja e vetme.“Në këto ditë duhet të mbajmë distancën sa më shumë. Distancën duhet të mbajmë edhe me presidentin sepse me gjitha paraqitjet e tij publike e ka bërë të qartë se po vepron kundër Gjykatës Kushtetuese… Ai nuk ka të drejtë që bëj asnjë përpjekje për krijimin e qeverisë pa fituesin e zgjedhjeve. Kjo është e qartë edhe sipas kushtetutës, por edhe pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese se nuk mund të ketë qeveri pa fituesin e zgjedhjeve. Lëvizja Vetëvendosje si subjekti që i ka fituar zgjedhjet”, thotë ajo.

Për qëndrimet pro kësaj ide të partive tjera parlamentare, nënkryetarja e Kuvendit, thotë se janë të sinkronizuara me presidentin Thaçi për t’i shërbyer planeve të tij.

“Është një skenar i përgatitur tashmë. Ata 82 deputetë e shprehën hapur se me votën e tyre janë pro hapjes së rrugës për presidentin për planet e tij”, u shpreh Nagavci.

Duke kërkuar zgjedhje të reja, pas kalimit të pandemisë, Nagavci thotë se është krijuar rrethanë e re, ku së paku 24 deputetë ka radhët e LDK-së kanë premtuar qeverisje me LVV-në dhe tash nuk mund të thirren në atë legjitimet. “Kemi rrethanë të re, i kemi së paku 24 deputetë të cilët i kanë fituar zgjedhjet duke premtuar që do të qeverisin me Lëvizjen e Vetëvendosje. Nuk mund të thërrasim në legjitimitetin e këtyre deputetëve. Pra duhet të shpërndahet Kuvendi dhe të vazhdohet me zgjedhjet e reja kurdo që të krijohen kushtet pas përmirësimit të situatës me koronavirus”, u shpreh ajo.

Javën e kaluar Kuvendi i Kosovës ka votuar për mocionin e mosbesimit ndaj Qeverisë Kurti.