Veturat zyrtare që po përdoren sot në zgjedhjet e jashtëzakonshme të Podujevës dhe Mitrovicës së Veriut, kanë ngjuar reagime.

Në një konferencë për media asamblisti i PDK-së në Podujevë, Rafet Llapashtica ka akuzuar LDK-në së janë duke u përdorur  veturat zyrtare për të dërguar njerëzit për të votuar.

Por, nga Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) thonë se veturat e tyre janë në shfrytëzim të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) për organizim të zgjedhjeve.

“Ministria e Punëve të Brendshme dëshiron të sqarojë disa lajme, që janë duke qarkulluar në media se veturat e MPB-së, janë duke u përdorur në procesin elektoral që është duke u mbajtur sot në komunën e Podujevës dhe komunën e Mitrovicës së Veriut. Me këtë rast ju njoftojmë se veturat e Ministrisë së Punëve të Brendshme janë dhënë në shfrytëzim për Komisionin Qendror të Zgjedhjeve për organizmin e zgjedhjeve”, thuhet në sqarimin e MPB-së.

Në anën tjetër Lëvizja Vetëvendosje ka thënë se në ato vetura nuk ka ndonjë logo të KQZ-së. “znj. Daka tha se ato janë marrë në shfrytëzim nga KQZ dhe se në to është logoja e KQZ-së. Kjo është tërësisht e pavërtetë. Asnjë nga këto vetura të cilat i kemi ilustruar edhe me fotografi nuk bartin asnjë shenjë apo identifikim të KQZ-së dhe si të tilla paraqesin keqpërdorim me veturat zyrtare dhe presion mbi votuesit”, thuhet në reagimin e VV-së.

Por, nga MPB thonë edhe se kjo është një praktikë që KQZ kërkon nga MAP mbështetje me vetura për organizim të zgjedhjeve.

“Ju bëjmë me dije se kjo është një praktikë që gjatë organizmit të zgjedhjeve në Kosovë, KQZ, kërkon nga Ministria e Administratës Publike, mbështetje me vetura për organizmin të zgjedhjeve. Tashmë meqë ish-Ministria e Administratës Publike është shuar në Ministrisë e Punëve të Brendshme, është përgjegjësi e MPB-së që t’iu jep në shfrytëzim veturat për KQZ-në. Ju njoftomë se këto vetura janë dhënë në shfrytëzim me miratimin e Sekretarit të Përgjithshëm të MPB-së, z. Lulzim Ejupi”, thuhet në reagimin e MPB-së./21Media