Gjatë ditës së sotme është vënë gurthemeli i stadiumit ndihmës në Studentqan nga ministrja për Kulturë, Rini dhe Sport, Vlora Dumoshi e shoqëruar nga zëvendëskryeministri i Kosovës Driton Selmanaj dhe kryetari i komunës së Suharekës, Bali Muharremaj.

Me këtë rast Dumoshi u shpreh se ky fshat e ka merituar një stadium të tillë dhe shpreson që ky stadium të jetë i gatshëm sa më shpejtë.

“Është jashtëzakonisht mirë kur e sheh lumturinë e qytetarëve të cilët kanë ardhur me na prit që po fillojmë me ndërtimin e këtij stadiumi ndihmës. MKRS është duke e financuar në bashkëpunim edhe me kryetarin e komunës, i cili e ka gjetur këtë vend këto tokë komunale, një pjesë shumë interesante. Ky fshat ka pasur histori në vitet e 90-ta. Këtu kanë luajtur ndeshjet e Kosovës dhe e kanë merituar”, tha ajo.

I pari i komunës së Suharekës tha se këtë stadium e presin prej kohësh shumë gjenerata të këtij fshati për të cilin tha se është një ndër fshatrat që më së shumti e adhuron futbollin.

“Asambleja ka ndarë 7 hektarë tokë për ndërtimin e stadiumit. Shfrytëzoj rastin të falënderoj zëvendëskryeministrin, ministren e Sportit. Po fillojmë një realitet këtu në Studenqan, një stadium që e kanë pritur me gjenerata dhe i nderuar zëvendëskryeministër, e nderuar ministre, fshati që e do më së shumti futbollin ndoshta jo vetëm në Suharekë, por edhe në tërë Kosovën”, tha Muharremaj.

Ndërsa zëvendëskryeministri Driton Selmanaj deklaroi se entuziazmi për futboll në këtë fshat gjithmonë ka qenë i lartë.

“Normalisht që është një ndjenjë e mirë për të ardhur në Studenqan për vendosjen e gur-themelit të një stadiumi. Normalisht, mua qysh i vogël më ka lënë shumë përshtypje entuziazmi i këtij fshati për futboll. Kam pas rastin të vij nja dy herë për të luajtur te stadiumi afër shkollës. Kam luajtur kundër Hamdisë dhe Veselit, por këtu humbnim, por në Mushtisht fitonim”, deklaroi Selmanaj.