Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, u takua sot pasdite me përfaqësuesin special të Bashkimit Evropian për dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, Mirosllav Lajçak.

“Lajçak mund të garantojë objektivitetin dhe paanshmërinë në proces. Temat janë të dhimbshme për ne, por zgjidhjet kompromis nuk mund të jenë kurrë të lehta për Serbinë”, tha Vuçiq pas takimit.

Ai shtoi se procesi i dialogut pritet të vazhdojë në korrik dhe se është më e rëndësishme të diskutohet për përmbushjen e marrëveshjeve të Brukselit.

“Sigurisht, ne nuk do të kemi ditë të lehta, nuk do të ketë çështje të lehta për Serbinë, por shpresoj që ne do të arrijmë të mbrojmë interesat tona jetike dhe kombëtare“, u shpreh Vuçiq, duke shtuar se dialogu nuk ka kuptim nëse vetëm një palë merr pjesë.

“Ne jemi të hapur për bisedime, por kjo është gjëja që ne kërkojmë nga pala tjetër, dhe jo të na dorëzojë një tabelë kërkesash që nuk mund të përmbushen para çdo bisede”, tha Vuçiq.

Ndërsa, Lajçak tha se rruga e Serbisë drejt BE është e lidhur ngushtë me dialogun.

Ai tha se do të propozojnë një marrëveshje gjithëpërfshirëse që do të zgjidhë të gjitha çështjet e pazgjidhura, si ato ekonomike dhe rajonale.

“Kur dialogu merr fund, nuk duhet të ketë pikëpyetje”, tha Lajçak.