Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Shpejtim Bulliqi ka akuzuar qeverinë Hoti për korrupsion në autostradën Prishtinë-Gjilan.

Në seancën e raportimit të kryeministrit Hoti për 100 ditëshin e qeverisjes, Bulliqi ka thënë se kjo qeveri po u kërkon haraç kompanive që po ndërtojnë autostradën Prishtinë-Gjilan.

Ai tha se këtë segment rrugor e kanë ndarë në disa lote vetëm që të përfitojmë më shumë para.

“Ju jeni qeveri e cila një projekt siç është projekti rrugës Prishtinë-Gjilan e ndani në 6 lote për arsye se lypni tall për çdo njërin prej atyre lotëve nga punëmarrësit të cilët i marrin ato punë për t’i kryer dhe ai tall ta dini që është diku 500 mijë euro për secilin lot. Dhe kjo bëhet përmes sekserëve që i keni brenda kësaj qeverie. Jeni një qeveri e korruptuar sepse jeni bashkërisht me të korruptuarit dhe po sinkronizoheni me ta. Është mirë se sa më parë të lëshoni rrugë. T’i hapni vendit rrugë për zgjedhje dhe të mos vazhdoni me këtë qeverisje”, tha ai.

Kësaj akuze i është përgjigjur zëvendëskryeministri Driton Selmanaj, i cili mohoi pretendimet e Bulliqit.

Madje i kërkoi Bulliqit që të mos bëhet nervoz.

“Z. Bulliqi veq nervoz mos u bën sepse bisedojmë sa të kesh interes. Kur të thuash që ju jeni qeveri e korruptuar, duhet me pas disa indikataorë. Me thënë që u nda në 6 lote dhe i merr nga 500 mijë euro, a din sa të panjohura janë për mua këto tema. Si me qenë me fol për univers. E kur i dini ju kaq mirë, po them qysh po i din more këto gjëra. Mua asnjë sekser nuk më vjen në zyre dhe nuk bisedohen këto tema. Mund t’i ndajmë 10 lote dhe kryhet puna. Në këtë vend është një qeveri e re, logjikë e re”, tha ai./kp