Arsene Wenger vlerësoi se disa klube futbolli dëshirojnë të krijojnë Superligën evropiane pasi nuk mund të konkurrojnë financiarisht me rivalët nga Premierë Liga.

Manchester United dhe Liverpool janë në negociata për të krijuar një garë të re me vlerë gjashtë miliardë dollarë, në të cilin do të merrnin pjesë 18 klube nga pesë ligat më të forta evropiane.

Themeluesit duan që gara të fillojë në vitin 2022, dhe Josep Maria Bartomeu, i cili dha dorëheqjen si president i Barcelonës të martën, kohët e fundit tha se klubi i tij tashmë ka pranuar të marrë pjesë.

Wenger, i cili është drejtuesi i programit ndërkombëtar të zhvillimit të futbollit të Federatës Ndërkombëtare të Futbollit (FIFA), tha se këto plane synojnë shkatërrimin e “epërsisë” së Premierë Ligës.

“Premierë Liga ka epërsi, ligat e tjera po përpiqen të shkatërrojnë avantazhin që ka ajo. Për ta, gjëja më e mirë është të krijojnë një Ligë Evropiane, e cila në thelb do të shkatërronte Premierë Ligë. Nëse ata bien dakord me klubet e mëdha angleze, kjo do të ndodhë,” tha Wenger, raporton Sky.

Klubet më të mira evropiane do të luanin më shpesh në Superligë, por Wenger tha se fituesit më të mëdhenj do të ishin pronarët e klubeve.

“Ne jemi në një periudhë të pronarëve që janë investitorë. Qëllimi i tyre i parë është të fitojnë më shumë para. Superliga evropiane mund të jetë një mënyrë për të fituar më shumë para,” tha Wenger.