Tahiri ka komentuar edhe polemikat që po ndodhin brenda LDK-së

Tahiri ka komentuar edhe polemikat që po ndodhin brenda LDK-së

Kryetari i komunës së Vushtrrisë, Xhafer Tahiri ka dalë në mbështetje të kryetares së Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani pas përplasjeve të saj me bashkëpartiakët e LDK-së.

Anëtari i Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së thotë se nënkryetarja e partisë është një vlerë jo vetëm për LDK-në. Derisa për KosovaPress u shpreh i hapur për një koalicion të ardhshëm LDK-AAK-Nisma-AKR, por i cili duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën.

“Kam kërkuar nga subjekti im politik që çdo zgjidhje politike të jetë, një zgjidhje kushtetuese. Po ashtu e kam informuar se unë e udhëheq këtë koalicion të madh me të gjithë. Në fakt ky ka qenë qëndrimi im në Këshillin e Përgjithshëm. Kam njoftuar se unë kam një koalicion me të gjithë në Vushtrri. Për mua është e rëndësishme të mo s kemi një koalicion me PDK-në, pasi është e shëndetshme për demokracinë që të vazhdojë të mbetet në opozitë”, ka thënë ai.

Tahiri ka komentuar edhe polemikat që po ndodhin brenda Lidhjes Demokratike të Kosovës.

“Kryetarja e Kuvendit është një nga vlerat më të mëdha që i ka jo vetëm LDK, por tërë skena politike në Kosovë. Me profesionalizimin dhe qëndrimin e saj parimor, me faktin se përfaqëson 50 për qind të shoqërisë tonë që zakonisht ka qenë e pa përfaqësuar në shoqërinë tonë. Me qëndrimin e saj konsistente është vlerë”, u shpreh ai.

Me rrëzimin e Qeverisë Kurti u shpërfaqën dallime të mëdha në LDK.