Golden Eagle Ylli ka shënuar fitore ndaj Sigal Prishtinës me shifrat 86:81 (20:16, 25:19, 16:23, 25:23), në kuadër të javës së 25-të në Superligën e Kosovës në basketboll.

“Perioda e parë ishte e baraspeshuar, por në dy minutat e fundit të kësaj pjese vendasit ishin paksa më të mirë, duke përmbyllur këtë pjesë me shifrat 20:16. Therandasit vazhduan me lojë të mirë edhe në periodën e dytë, madje, duke pasur epërsi deri në 16 pikë, 40:24, kurse pjesa e parë përfundon me shifrat 45:35.

Pjesën e dytë, përkatësisht periudhën e tretë më mirë e nisën prishtinasit, duke ngushtuar shifrat, ku me kalimin e minutave ngushtuan rezultatin në vetëm tre pikë, 61:58, sa ishte rezultate në semafor pas 30 minutash. Kjo bëri që 10 minutat e fundit të ishin shumë interesant. Ylli sërish u shkëput në çerekun e fundit 74:65, por asgjë nuk kishte përfunduar, sepse bardhekaltrit rikthehen sërish për të afruar rezultatin në 76:75, megjithatë, në minutat e mbetur vendasit ishin më të vëmendshëm dhe fituan 86:81″, ka njoftuar Federata e Basketbollit.

Lg Gill ishte më i dalluari te vendasit me 30 pikë e katër kërcime, kurse te mysafirët u dalluan Fisnik Rugova me 13 pikë e 6 kërcime dhe Nigel Johnson me 21 pikë.

Golden Eagle Ylli ka 16 fitore dhe 9 humbje, kurse Sigal Prishtina 9 fitore dhe 16 humbje./21Media