Më shumë se dy dekada më parë, shtëpia e Salih Jakut nga Hasi i Shqipërisë, nuk ishte vetëm e familjarëve Jaki. Ajo po shërbente si bazë e Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Organizata e Veteranëve te Luftës së UÇK-së ka zbuluar të shtunen pllakat përkujtimore të UÇK-së në fshatin Nikoliç të Hasit në Shqipëri. Në këtë pllakë përkujtimore janë të skalitur të gjithë emrat e pjesëtarëve që kanë kaluar në këtë shtëpi.

Kryetari i OVL-UÇK-së, dega në Has, Xhevdet Thaçi u ka kërkuar falje të gjithë familjarëve të anës së Hasit, që deri më tani, nuk kanë mundur të qesin në pah historinë e vërtetë.

Kryetari i OVL-UCK-së, Hysni Gucati tha se nuk do ndalen vetëm me shtëpinë e Jakut, derisa shtoi se kjo shtëpi ka qenë dhe do të jetë pranë Kosovës dhe luftëtarëve të popullit.

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, dikur anëtar i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Kadri Veseli, tha se Hasi gjithmonë ka qenë i besës dhe i bukës.

Veç tjerash Veseli tha se Kosova do të jetë ajo e 17 Shkurtit, bashkë me Shqipërinë për në Bashkimin Evropian.

Zëvendëskryetarja e Bashkisë së Krumës, Drita Meshi ka treguar se gjatë kohës se luftës ka strehuar 14 familjarë nga Kosova.

E, nikoqiri i shtëpisë, në të cilën edhe u zbulua pllaka përkujtimore, Përparim Jaku, duke kujtuar ditët kur luftëtarët e lirisë shkonin në shtëpinë e tij si studentë, por që në çantat e tyre nuk kishte vetëm libra.

OVL-UÇK po ashtu ka ndarë dekorata për familjen e Salih Jakut, shtëpia e të cilëve shërbeu si bazë e Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së. /kp