Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, sot, në seancën e Kuvendit tha se në dy ditët e fundit ka pasur mungesë të testeve për COVID19, por që, fal diasporës janë siguruar 12 mijë teste.

“Vetëm në dy ditët e fundit nga IKSHP informacioni i saktë është që mungojnë testet në masë të madhe, kjo ka qenë shqetësuese për mua, sot përmes atyre të cilët iu shkon falënderimi i madh për përkrahjen e Kosovës në vazhdimësi diasporës do sigurohen diku 12 mijë teste dhe do të dorëzohen në IKSHP dhe do vazhdojmë me mbikëqyrjen dhe shpërndarjen e tyre”, tha ai.

Zemaj shtoi se dy ditët e para të hapjes së kufijve janë futur 13 mijë qytetarë në Kosovë.

“Për dy ditë pa mbërri ditën e tretë në Kosovë janë futur 13 mijë qytetarë, hyrja e tyre me vendimin që ata të shkojnë me vetizolim për 7 ditë ka qenë e pamundur jo vetëm të monitorohet, por edhe të zbatohet nga agjencitë e inspektimit dhe punës, por as nga Policia e Kosovës. Kur flasim për policinë e potencuan se ka konflikt ligjor mes kompetencave dhe askush s’mund të ndërhyrje në një kompetencë tjetër ligjore dhe për këtë është deklaruar edhe Gjykata Kushtetuese, e në të cilat nuk dua as të interferojë dhe as ti shoh me një sy kritik. Mënyra e menaxhimit të tyre na ka detyruar që me rekomandimet e reja t’i shndërrojmë në kontrolle mjekësore në hyrje, matjet e temperaturës, adresat e numrat e telefonit e të gjitha këto”, tha ai.

Pas fjalimit të ministrit të Shëndetësisë, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Fitim Uka tha ministri i Shëndetësisë dhe kryeministri, Avduallah Hoti janë shembuj të këqij të respektimit të masave karshi CVOVID-19.

“Askush nuk ka nevojë të frikësohet nga komisioni për shëndetësi ajo çfarë ne kemi kërkuar është që ministri të vi dhe të raportoj para këtij komisioni sepse në atë që na u propozua si plan i qeverisë i përmend edhe intelegjenca pandemike masa të reja për shpëtim të cilat ne nuk i dimë dhe nuk e kuptojmë se ku mund të na dërgojnë .Kur i referoheni masave kundër COVID19, mendoj që një ministër çoftë edhe ai ilegal duhej të udhëheqtë me shembullin e vetë e fatkeqësisht ne kemi parë tek ju edhe tek ky kryeministër vetëm shembuj të këqij të respektimit të këtyre masave”, tha Uka.

Në replikën e tij ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj i tha deputetit të LVV-së se edhe në raport me të edhe 100 vjet nuk do të sheh shembuj të keq.

“Të dëshiroj jetë të gjatë si deputet e Kuvendit të Kosovës edhe shumë mandate por shembull të keq nuk ki me pa ti edhe 100 vite në raport me mua. E dyta nëse më dëgjove me vëmendje çdo herë 24 orë ministri i Shëndetësisë edhe ministria e Shëndetësisë është e gatshme të raportoj para Kuvendit dhe para deputetëve të Kuvendit të Kosovës”, tha ai./kp