Ministri i Shëndetësisë Armend Zemaj është takuar sot me përfaqësuesit e institucioneve të ndryshme shëndetësore, ku është vlerësuar gjendja me pandeminë COVID-19, para marrjes së çfarëdo vendimi apo mase të re.

Ai me këtë rast ka thënë se situata epidemiologjike po tregon trend të përmirësimit, por pavarësisht kësaj qytetarët duhet të vazhdojnë me zbatimin e masave në fuqi dhe rritjen e kujdesit në prag të fillimit të vitit të ri shkollor.

“Vlerësimi i drejtë është parakusht për vendimmarrje të drejtë, andaj do të vazhdojmë bashkëpunimin dhe konsultimet me të gjitha institucionet dhe palët e interesit në funksion të menaxhimit sa më korrekt të situatës. Ndjeshmëri ndaj të gjitha kërkesave dhe nevojave, por prioritet mbetet shëndeti publik”, ka shkruar Zemaj në Facebook.