Ministri në detyrë i Shëndetësisë, Armend Zemaj, pas kalimit të projektligjit për buxhetin 2021 në lexim të parë në Kuvendin e Kosovës, sonte ka adresuar tri kërkesa të arsyeshme për përkrahje shtesë buxhetore për furnizim me barna, sidomos për terapitë për sëmundje të rralla.

Ai ka theksuar se përkundër shtimit të numrit të profesionistëve shëndetësorë, ky sektor vazhdon të përballet me mungesa të konsiderueshme ‘me të cilën duhet vazhduar rritja e numrit qoftë edhe për përballjen me pandeminë Covid-19’.

“Avancimi profesional i mjekëve të rinj, të cilët në këtë vit iu mundësua të kyçen në sistemin shëndetësor përmes shkollimit specialistik, MSh dhe Qeveria ofroi mundësi pagese për më shumë se 80% të të pranuarave, ndërsa nevoja për përkrahje buxhetore konsiston edhe arsyeshmërinë që të rritet buxheti edhe për 270 specializantë të cilët janë bërë pjesë e shkollimit specialistik me vetëfinancim. Duke pasur parasysh se kushtet ekonomike, por edhe nevojën për më shumë specialistë të fushave të ndryshme, kërkojmë që të përkrahet propozimi për buxhet shtesë për këta mjekë të rinj”, ka shkruar në facebook ai.

Zemaj beson se Komisioni për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale dhe ai për Buxhet dhe Transfere do të përkrahin kërkesat e tij.

“Sigurisht që fjalën përfundimtare e kanë deputetët e Kuvendit të cilët jo rrallë herë kanë kërkuar dhe kanë shfaqur përkrahje për fëmijët të cilët vuajnë nga “Fibroza Cistike”, rritje të numrit të profesionistëve shëndetësor si dhe mundësi më të mira për të vazhduar mjekët e rinj shkollimin dhe avancimet profesionale.”, ka shtuar tutje Zemaj.