Në kohën kur kemi rritje të rasteve me COVID-19, ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj sot ka raportuar para Komisionit për Shëndetësi për menaxhimin situatës së pandemisë.

Raportimi u bë në një ambient tejet të ngushtë e me shumë njerëz ku nuk respektohej distanca fizike, për çka kritika adresoi drejtori i Instituti Kombëtar të Shëndetit Publik, Naser Ramadani.

“Në fund nuk ka kohë sepse ky vend nuk i plotëson kushtet me u mbajt mbledhja janë pa maska njerëzit mbi 15 kemi shkuar, vetëm 15 minuta ka të drejtë…As distanca nuk është në rregull”, u shpreh Ramadani.

Derisa i tregoi të gjitha masat që janë marrë me qëllim të menaxhimit të pandemisë COVID19, ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj gjatë raportimit të tij tha se shtimi i rasteve me COVID-19 ditëve të fundit po ndodh si pasojë e lirimit të masave që janë vendime që i takojnë ish-qeverisë.

Zemaj teksa ka folur për masat që u lehtësuan deklaroi se deri më datën 20 qershor do të bëhet rivlerësimi i situatës në bazë të të cilit do vendosen masa për pikat kufitare.

“Që me marrjen e mandatit po ballafaqohemi me një rritje të rasteve pozitiv me COVID19, që është rezultat apo edhe pasojë e lirimit të masave proces ky që ka filluar që nga hapja e fazës më 4 maj për të vazhduar me fazën e dytë të hapjes më 18 maj dhe sidomos pas fazës së tretë që ka nisur me 1 qershor e cila fazë ka nisur bazuar në vendimin e ish qeverisë së Kosovës të sjella më 31 maj…17’33 U vendos që deri më datën 20 qershor do të bëhet rivlerësimi i situatës në bazë të cilit vlerësim do të merren masa të reja lidhur me pikat kufitare dhe hyrjen e qytetarëve në Kosovë”, tha ai.

Zemaj foli edhe për manuali për parandalimin dhe luftimin e COVID-19, me ç’rast tha se duke parë shtimin e rasteve të prekurve me virus janë rikthyer kapacitet spitalore në Klinikën e Pulmologjisë, Demos dhe mjekësisë sportive, si dhe është hapur konkurs për rekrutimin e 200 personelëve mjekësorë.

Lidhur me Ligjin për pandeminë COVID-19, ministri i Shëndetësisë tha se kjo do të bëhet përmes një ndryshim plotësimi të ligjit për sëmundjet ngjitëse.

Kreu i shëndetësisë kosovare tha se furnizimi me pajisje mbrojtëse është stabil dhe se rreth 4 milionë euro janë shpenzuar nga buxheti i MSh-së për menaxhimin e pandemisë. Ai tha se janë duke punuar që t’i fusin në përdorim edhe testet serologjike.

“Qeveria ka paralajmëruar se do të punoj edhe për përdorimin e testeve serologjike në masë të madhe në mënyrë që popullsia e përgjithshme në zonat e ndryshme të vendit të vlerësohet për gjendjen e infeksionit aktiv njëherë për të konstatuar gjendjen e imunitetit përmes pranisë së antitrupave specifik. Në këtë aspekt në kuadër të grantit të projektit të shëndetësisë kosovare përmes Bankës Botërore është planifikuar blerja e testeve serologjike sipas kërkesës së IKSHP-së krahas materialeve dhe pajisjeve tjera, nga ky grant që ka vlerën rreth 2 milionë dollarë amerikan”, tha ai.

Raportimi i ministritë të Shëndetësisë, Armend Zemaj nuk kaloi pa përplasje.

Debati u nxeh atëherë kur filluan pyetjet e deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Fitim Uka i cili tha se i duket e çuditshme se si në këtë kohë kur kemi shtim të rasteve ka lehtësim të masave kufizuese.

Madje Uka e pyeti edhe për deklarimet kontradiktore në mes të kryeministrit Avdullah Hoti i cili më 12 qershor pas numrit të madh të rasteve pozitive me COVID-19 nuk e përjashtoi mundësinë e kthimit të masave, dhe të kundërtën e saj e tha më pas dy ditë më vonë ministri i Shëndetësisë.

“A mund të na tregoni se a keni komunikimi me zotërinë Avdullah Hoti mudn të tingëllojë pyetja interesante por ne që e përcjellim me shumë shqetësim kemi vërejtur një kontradikt të çuditshme në mes të deklaratave tuaj dhe zotërinë Hoti”, tha ai.

Zemaj ishte përgatitur për këtë përgjigje të pyetjes së Ukës pasi që me vete kishte marr edhe disa fotografi të tubimit të 12 qershor të Lëvizjes Vetëvendosje ku u grumbulluan qindra qytetarw. Sipas tij ky ka qenë shkaku që kryeministri Avdullah Hoti ka qenë i shqetësuar.

Ai madje tha se do të bëjë çmos që mos t’i rikthejë masat pasi kjo sipas tij është puna më e lehtë, por që ky veprim e dëmton ekonominë dhe qytetarët e Kosovës.

“Do të bëjë çmos që me gjithë angazhimin e që ka ministria e Shëndetësisë edhe krejt kapacitetet që i ka mbikëqyrëse Republika e Kosovës që të mos ketë rikthim të masave, masat rikthimi në izolim do ta shkatërroj Kosovën, qytetarët e Kosovës dhe ekonominë, inetegjencë, shëndetin. Për një ministër të Shëndetësisë nuk ka më lehtë se sot ta adresoj një vendim për izolim edhe për mbyllje të qytetarëve të vendit është vendimi më i lehtë që mund t’i rikthej masat edhe kontrolla do jetë më e lehtë. Zotëri Avdullah Hoti ka qenë i shqetësuar ne datën 12 qershor a e dinë për çka ka qenë i shqetësuar shikoje është tmerruar është tmerruar nga këto pamje kur ka parë mija qytetar që keni mbledhur edhe i keni ekspozuar ndaj rrezikut ndaj pandemisë.. Ne i kemi pa ngjyra… qe po ua ilustroj…Këta filma të juaj tek unë nuk shiten”, deklaroi Zemaj.

Kryetarja e Komisionit për Shëndetësi, Albena Reshitaj tha se si pasojë e shtimit të testimeve dhe mos respektimit të masave javën e fundit kemi shtim të rasteve me COVID19 në Kosovë.

Ajo tha se manuali për parandalimin dhe luftimin e COVID19 është voluminoz, dhe se ky manual do ishte më i pranueshëm të ishte vetëm në një lloj broshure.

Kryesuesja e Komisionit për Shëndetësi kërkoi që të krijohet ligji i përkohshëm për luftimin e COVID19.

“Ditëve të fundit përkundër masave në fuqi po mungon në masë të madhe respektimi në përpikëri i masave të rekomanduara nga IKSHP e që janë të rekomanduara edhe nga Organizata Botërore e Shëndetësisë për luftim dhe menaxhim të situatës…Numri i rasteve në javën e fundit ka pësuar rritje brengosëse si pasojë e drejtpërdrejt e neglizhimit të masave, por besojmë që këtu ka ndikuar edhe rritja e numrit të testimeve”, tha ajo.

Anëtari i Komisioni nga radhët e LDK-së, Haxhi Avdyli kërkoi të di se si po monitorohen qytetarët që kanë dal pozitiv me COVID19, me qëllim që ata të pengohen që mos të dalin jashtë vetëizolimit.

Për këtë i pari i shëndetësisë kosovare tha se nga Këshilli Prokurorial, Gjyqësor dhe Policia kanë kërkuar që të jenë më vigjilent, por që sipas tij me numrin e policisë që ka Kosova është e pamundur që të mbahet nën kontroll çdo person i infektuar.

Vetëm mbrëmë në Republikën e Kosovës pozitiv me COVID19 kanë rezultuar 83 raste./kp