Ministri i Shëndetësisë Armend Zemaj ka zhvilluar sot një takim virtual me përfaqësuesit e shteteve të Ballkanit Perëndimor, përfshirë Greqinë dhe Bullgarinë, me të cilët ka diskutuar lidhur me menaxhimin e pandemisë me koronavirus.

Ai në një postim në Facebook ka shkruar se gjatë këtij takimi janë shkëmbyer përvojat dhe mësimet e nxjerra nga kriza e kësaj pandemie që ka prekur pothuajse të gjithë botën.

“Folëm për praktikat e mira që janë zbatuar për të parandaluar përhapjen e virusit dhe për të mirëmbajtur shërbimet themelore shëndetësore. Diskutuam edhe për mundësitë për t’i parapërgatitur vendet tona për një valë të re të mundshme të virusit në vjeshtë, fillimin e vitit it të ri shkollor dhe se si të bëhen parapërgatitjet në shkolla, për ta rinisur mësimin me prezencë fizike në klasë, si dhe cilat do të ishin hapat e ardhshëm për të hapur kufijtë ndërshtetërorë për udhëtime. Biseduam edhe për vaksinat e gripit sezonal. U tha se javët në vijim për të gjitha shtetet tona vështirësi dhe sfidë është fillimi i vitit të ri shkollor”, ka shkruar Zemaj./21Media

Sapo përfundova një takim shumë të rëndësishëm virtual me përfaqësuesit e shteteve të Ballkanit Perëndimor,…

Posted by Armend Zemaj on Thursday, 27 August 2020