Për tri orë me radhë ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj ka raportuar para anëtarëve të Komisionit për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale lidhur me menaxhimin e pandemisë në vend. Zemaj tha se janë duke u angazhuar që t’i rrisin kapacitetet testuese në vend dhe të ofrojnë deri në 3500 teste falas brenda ditës për qytetarët e Kosovës.

Ministri i Shëndetësisë, derisa tha se situata epidemiologjike është e menaxhueshme theksoi se janë në fazën përfundimtare të zgjerimit të kapaciteteve testuese edhe në qendrat regjionale të Instituti Kombëtar të Shëndetit Publik.

Përderisa ka kërkuar respektim të rekomandimeve karshi luftës me COVID-19, Zemaj tha se shqetësuese mbesin shifrat e vdekshmërisë së atyre që kanë qenë të prekur me koronavirus.

Me qëllim të menaxhimit dhe ofrimit të shërbimeve më efikase Zemaj tha se janë duke angazhuar edhe staf shtesë të profesionistëve shëndetësor.

I pari i shëndetësisë kosovare u zotua se me zgjerim të kapaciteteve testuese do të mund të ofrojnë edhe 3 mijë deri në 3mijë e 500 teste falas brenda ditës për qytetarët e Kosovës.

Lidhur me licencimin e institucioneve private për kryerjen e testimeve serologjike dhe PCR, për çka u interesua të di më shumë anëtari I këtij komisioni nga radhët e LDK-së, Haxhi Avdyli, ministri Zemaj tha se ata laboratorë janë licencuar në bazë të kritereve të udhëzimit administrative dhe se nga qeveria ka kërkuar që të subvencionohet 18 deri 20 për qind e çmimit të marrjes së këtyre shërbimeve.

Deputeti Avdyli kërkoi informacione edhe për furnizimin me oksigjen si shërbim tejet i rëndësishëm për pacientët me COVID-19. E në përgjigjen e tij ushtruesi i detyrës së drejtorit të Shërbimit Spitalor Klinik Univeristar, Valbon Krasniqi tha se kur ka ardhur në këtë pozitë ka qenë vetëm një kontratë për furnizim me oksigjen. Krasniqi tha se me qëllim të furnizimit adekuat dhe bazuar në nevoja kanë nënshkruar edhe një kontratë me një operator tjetër për furnizim me oksigjen.

Ai tha se kanë filluar procedurat për zgjerimin e rrjetit të oksigjenit qendror nëpër klinikat dhe spitalet e përgjithshme, ndërsa shtoi se kanë nisur edhe procedurat për blerjen e 700 deri 1 mijë bombolave të oksigjenit.

Krasniqi tha se situatën ua ka lehtësuar edhe donacioni prej 27 koncentratorëve me oksigjen dhe janë në pritje edhe të 211 këtyre lloj aparaturave që janë donacion i OBSH-së.

Për koston e shpenzime për trajtim mjekësore të pacientëve që janë të shtrirë në Shërbimin Spitalor Klinik të Kosovës dhe atyre që trajtohen në shtëpi e që janë të prekur me COVID-19 u interesua të marr më shumë informacione deputeti nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Fitim Uka i cili e shfaqi si shqetësim edhe numrin e madh të rasteve që muajin e fundit e kanë humbur betejën me koronavirus.

Për këtë u.d. i drejtorit të SHKSKUK-ës, Valbon Krasniqi kostoja e shërimit të një pacienti me COVID-19 është vështirë të përcaktohet pasi varet nga gjendja shëndetësore dhe terapia që merr pacienti.

Krasniqi tha se për shpenzimet e pacientëve të prekur me COVID që janë të shtrirë në QKUK përgjegjës është ky institucion, por jo edhe për ata që marrin janë në shtëpi.

E konkursi i specialistëve ishte ai i cili ngjalli mjaftë interes për deputetët e Kosovës që janë pjesë e Komisionit të Shëndetësisë. Pothuajse secili u interesua të di se ky konkurs sa është legjitim. Ndër ta ishte deputeti i PDK-së, Uran Ismaili.

E në përgjigjen e tij ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj u zotua se në këtë konkurs nuk ka asnjë neglizhencë dhe gjithçka është legale.

Deputeti nga PDK tutja tha se meqenëse testime nuk janë bërë ashtu siç e ka kërkuar situate ka dështuar politika në testimet për COVID-19.

Ismaili pati edhe një këshill për ministrin Zemaj për vizitat që është duke I zhvilluar nëpër komunat e Kosovës.

Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj gjatë raportimit të tij në Komisionin e Shëndetësisë lidhur me menaxhimin e pandemisë në Kosovë tha se me qëllim të rritjes së kapaciteteve janë duke shqyrtuar mundësinë e ndërtimit të një spitali për pacientët me COVID që do ketë kapacitet edhe për 500 shtretër.

Ai po ashtu njoftoi se Mali i Zi i ka njoftuar se nga nesër do t’i hapë kufijtë për qytetarët e Kosovës pa kufizime.

Lidhur me vdekjen e dyshimtë të pesë pacientët që kanë qenë të shtrirë në Klinikën Infektive, ministri I Shëndetësisë, Armend Zemaj tha se janë në pritje të raportit zyrtar./kp