Mijëra vetë formuan një zinxhir njerëzish sot në Berlin, si një shenjë e luftës kundër racizmit, diskriminimit dhe pabarazisë.

Organizatorët e demonstratës të quajtur “Invisible” kërkuan nga pjesëmarrësit të vishnin maska dhe të ruanin distancën sociale.

Zinxhiri ishte i gjatë nëntë kilometra, nga Porta e Brandenburgut deri në rrethin Neukeln.

Pjesëmarrësit ishin të lidhur me shirita me ngjyra – “shirita e solidaritetit”.

Policia vlerësoi se rreth 5 mijë njerëz morën pjesë, ndërsa organizatorët vlerësuan se kishte mbi 20 mijë njerëz në zinxhir.

Sot, pati demonstrime më të vogla edhe në qytete të tjera gjermane.

Kohët e fundit Berlini ngriti kufizimet e vendosura për shkak të pandemisë së virusit korona në lidhje me numrin e njerëzve që mund të marrin pjesë në demonstrata, por një distancë sociale prej të paktën 1.5 metrash ende duhet të ruhet.

Protestat u nxitën nga zhvillimet në Shtetet e Bashkuara pasi një oficer policie i bardhë vrau afrikano-amerikanin George Floyd, më 25 maj.