Për vërshimet e fundit nga reshjet në disa rajone të Kosovës, punë i doli edhe Brigadës të Zjarrfikësve në Prishtinë.

Vetëm brenda dy ditësh kjo brigadë ka intervenua në mbi 20 raste për shpëtimin e banorëve, për largimin e ujit dhe shuarjen e zjarreve.

Komandant i Brigadës të Zjarrfikësve në Prishtinë, Latif Zeka ka thënë se në ditët e fundit ka qenë një situatë e rëndë nga vërshimet dhe është intervenuar me të gjitha kapacitetet që ka pasur kjo brigadë.

“Është një situatë e vështirë, gjithsejtë ne prej të premtes e deri më sot i kemi pasur 23 raste, prej tyre ka pasur raste të llojllojshme, por posaçërisht për thithjen e ujit në dhjetë vende. Pra, kemi intervenuar për thithjen e ujit, shpëtim të banorëve nga shtëpitë, ku kemi tërhequr në dy shtëpi në Fushë Kosovë, që kanë qenë të bllokuar qytetarët. Po ashtu kemi tërhequr vetura, të cilat kanë mbetur në ujë. Zjarr në shtëpi kemi pasur një rast, furnizim me ujë, si dhe hapje të dyerve, hapje të ashensorëve, shuarjen e zjarrit në veturë”, tha ai.

Komandanti Zeka ka treguar edhe për vështirësitë që kanë pasur këto ditë dhe për numrin e vogël të zjarrfikësve krahas shërbimeve që kërkohen në rast intervenimi në Prishtinë.

Kësaj brigade ai tha se i nevojiten edhe mbi 100 zjarrfikës.

“Vështirësi më së shumti kemi pasur natën e mbrëmshme, në një spital që është mbushur bodrumi me ujë. I kishim gjithsejtë 4 pompa për të tërhequr atë ujë, por shumë ujë që dilte, ishim të barabartë me ardhjen e ujit dhe tërheqjen e ujit. A ka brigada kapacitete të mjaftueshme? Jo, vetëm Prishtina duhet t’i ketë 200 zjarrfikës, ndërsa për momentin janë vetëm 98 të cilët punojnë dhe veprojnë”, tha ai.

Nga vërshimet e fundit, zonat më të prekura janë ajo nga Dukagjini, Drenica dhe Fushë Kosova.

Mësohet se nga të reshurat e madhe janë bërë dëme të konsiderueshme materiale nëpër shtëpi, infrastrukturë, biznese dhe bujqësi./KP