Warning: sprintf(): Too few arguments in /home/rtv21new/public_html/wp-content/themes/newsphere-pro/lib/breadcrumb-trail/inc/breadcrumbs.php on line 254

​Zyrtarizohet Bordi i shkëmbimit arsimor SHBA-Kosovë

2 min read

 

Nisma e Bordit të shkëmbimit arsimor SHBA-Kosovë (USKEB) përfaqëson një vazhdim të një partneriteti kuptimplotë dhe të qëndrueshëm që Kosova dhe Shtetet e Bashkuara kanë ndërtuar gjatë viteve.

Kështu u shpreh ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, në takimin ku u zyrtarizua ky Bord, ku mori pjesë edhe ambasadori i SHBA-së në Prishtinë, Philip Kosnett.

Në 10-vjetorin e Programit Fulbright në Kosovë, ministrja Nagavci theksoi mbështetjen e fortë për programin dhe përmendi kontributin e tij të paçmuar për Kosovën, së bashku me shumë programe tjera të financuara nga SHBA, në ngritjen e kapaciteteve përmes përfitimit të përvojave arsimore, jo vetëm akademike, por edhe shoqërore dhe kulturore.

Nagavci tha se një nga përparësitë e rëndësishme të Qeverisë në arsim është që të mbështesë kërkimin në shkencë dhe inovacion, andaj ajo theksoi se USKEB do të luajë rol jetësor në promovimin e njohurive, hulumtimeve dhe përvojave.

Ndërsa, Kosnett tha se ky është bordi i parë i shkëmbimit Fulbright në botë dhe një dëshmi e investimeve të Kosovës në Programin Fulbright, për të ndihmuar brezat e ardhshëm të studentëve kosovarë të përdorin ekspertizën teknike që ata fitojnë jashtë vendit për të përmirësuar ekonominë e Kosovës pasi të kthehen.

Ndryshe, USKEB u formua për të këshilluar dhe ndihmuar në caktimin e prioriteteve të burimeve dhe përcaktimin e përparësive për shkëmbim arsimor, përfshirë programin Fulbright për Kosovën, thuhet në komunikatë.