​Aeroporti dhuron pako ushqimore dhe higjienike për komunat në karantinë

Vitia: I lusim qytetarët të durojnë edhe gjatë muajit prill

Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës “Adem Jashari” ka ndarë donacion për Ministrinë e Shëndetësisë me qëllim që t’u dalë në ndihmë qytetarëve të Kosovës në kohën e përballjes me Covid-19.

Donacioni përmban pako ushqimore dhe higjienike, të cilat ministri në detyrë i Shëndetësisë, Arben Vitia tha se do t’i shpërndajnë në Komunën e Malishevës dhe komuna të tjera që janë në karantinë. Gjithashtu, prej kësaj pakoje do të përfitojnë edhe qytetarët që i përkasin komunitetit rom, ashkali dhe egjiptas.

Omer Kouycu nga Aeroporti “Adem Jashari”, tha se po përpiqen të ndihmojnë qytetarët e Kosovës që të tejkalojnë më lehtë situatën me pandemi.

Si investitor i huaj në Kosovë, e dimë rëndësinë e përgjegjësisë sociale dhe gjatë kësaj situate të pandemisë, ne si kompani do të dhurojmë pako me materiale higjienike për popullin e Kosovës, dhe ne urojmë më të mirën për njerëzit në Kosovë që po vuajnë nga kjo sëmundje dhe shpresojë që kjo situatë të përfundojë sa më shpejtë”, tha Kouycu.

Edhe në këtë paraqitje publike, ministri në detyrë, Arben Vitia u bëri thirrje qytetarëve që të respektojnë rekomandimet e Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik.

Sipas tij, në muajin maj do të fillojë ulja e rasteve, siç është paralajmëruar në të gjithë botën. Andaj, ai bëri thirrje që qytetarët të durojnë edhe gjatë muajit prill.

 

Në këtë situatë e di që gjendja psikologjike e shumë qytetarëve mund të jetë rënduar, mirëpo nuk do të zgjasë shumë, i kërkoj qytetarëve që të durojmë prillin, deri ën fund të prillit. Kjo situatë nuk do të zgjasë më shumë dhe tani është e domosdoshme që të respektohen të gjitha rekomandimet ministria dhe Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik, që sa më me pak pasoja të kalojmë nga kjo situatë”, tha ai.

Ai tha se nuk duhet relaksuar në këtë muaj meqë këto janë tre javët vendimtare.

Back to top button